Hoti për LVV-në: Nuk besojnë as në Zot e as në shtet, në asnjë gjë

Hoti për LVV-në: Nuk besojnë as në Zot e as në shtet, në asnjë gjë

Zgjedhjet 2021 February 06, 2021 - 15:12

Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka vizituar qytetin e Kaçanikut.

Hoti në fjalimin e tij para qytetarëve ka thumbuar kundërshtarët e tij politik duke thënë se ata nuk besojnë as në Zot e as në shtet, sipas tij në asnjë gjë.

“Në vitin 2021 po na duhet të kthehemi në mbrojtje të vlerave të shtetit të Kosovës, të mbrojtjes së shtetit, shtet. Sepse kemi disa kundërshtarë të majtë që s’kanë besim as në Zot as në shtet, në asnjë gjë. Shërbehen me parulla që e kanë gjenezën në atë sistemin që LDK-ja ka punuar shumë me e përmbysur. Në listën e tyre gjeni njerëz të tillë. Gjeni njerëz që janë adhurues të komunizmit, ekstremistë të tana llojeve”, ka thënë Hoti.

Ai tha së në LDK ka njerëz akademikë e patriotë që nuk i ndahen rrugës së kësaj partie.

“Në LDK ka njerëz akademikë, patriotë, të rinj e të reja dhe që nuk i janë ndarë rrugës së LDK-së që 30 vjet dhe duke i shërbyer vizionit të LDK-së i kanë shërbyer shtetit të Kosovës”, shtoi Hoti.

Ndërkaq, Hoti gjatë fjalimit ka thënë se njerëzit e LDK-së kanë pas vizion që nga vitet e 90-ta dhe sipas tij janë të vetëdijshëm se shteti nuk bëhet për një ditë.

“Kosova është ndërtuar me plot ngjarje që kanë ndodhur në vitet e 90-ta, me luftën e armatosur, por edhe me planin e Ahtisaarit është ndërtuar, të cilin e kanë kundërshtuar këta që janë në garë. Njerëzit e LDK-së kanë pasë vizion që nga vitet e 90-ta se kah duhet të shkojë ky shtet. Po ashtu, të vetëdijshëm se shteti s’bëhet për një ditë”, tha ndër tjera Hoti./Zëri