Zëdhënësi i LVV-së: Secila votë për 110 kandidatët është votë për LVV-në, fletëvotimi nuk shpallet i pavlefshëm
Zëdhënësi i LVV-së Përparim Kryeziu ka thënë se secila votë për 110 kandidatët në listën e kësaj partie, duke përfshirë edhe votën për Albin Kurtin, Albulena Haxhiun dhe Bajram Mavriqin, është votë për LVV-në.
Kryeziu ka theksuar se fletëvotimi nuk shpallet i pavlefshëm.
“Secila votë për 110 kandidatët në Listën e Referendumit, duke përfshirë edhe votën për Albin Kurtin, Albulena Haxhiun dhe Bajram Mavriqin, është votë për Lëvizjen Vetëvendosje!. Fletëvotimi nuk shpallet i pavlefshëm. Çdo votë do të numërohet dhe evidentohet nga komisionarët tanë. Më 14 shkurt, në ditën e zgjedhjeve, padrejtësitë institucionale korrigjohen me formën më demokratike të mundshme, me votë të lirë”, ka shkruar Kryeziu në “Facebook”.
Ndërsa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nëse votohen numrat e kandidatëve që nuk janë certifikuar, ato vota nuk numërohen.
Sipas KQZ-së, vota numërohet për partinë dhe kandidatët e certifikuar, ndërsa nuk llogaritet vota që i jepet atij kandidati që s’është certifikuar. /Zëri