Mustafa: Ata që kanë thyer qafën në LVV, nuk mund ta marrin trashëgimin e Ibrahim Rugovës

Mustafa: Ata që kanë thyer qafën në LVV, nuk mund ta marrin trashëgimin e Ibrahim Rugovës

Zgjedhjet 2021 February 03, 2021 - 17:57

Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur fushatën e saj në Podujevë.

Para qytetarëve të Podujevës, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka folur për sondazhet duke thënë se LVV-së ia lëmë ato e siç thotë ai LDK-ja ia merr votat.

“Ia lëmë LVV-së sondazhet, ne i marrim votat sepse e kemi besimin e qytetarëve. Me pas qenë me sondazhe moti disa parti ishin bërë të mëdha dhe moti do të qeverisnin me Kosovën. Ne moti kemi qeverisur dhe kemi qeverisur në mënyrën më të mirë”, tha ai.

Po ashtu, Mustafa në fjalimin e tij lavdëron kandidatin për kryeministër nga LDK-ja Avdullah Hotin duke e quajur njëri të mençur e të urtë që di t’i zgjidhë problemet e qytetarëve.

“Për kandidat për kryeministër e kemi Avdullah Hotin, njeriun e mençur e të urë, që di t’i zgjidhë problemet e qytetarëve të Kosovës. Hoti është njeri që na solli njohjen nga Izraeli dhe nënshkroi marrëveshjen e parë në Shtëpinë e Bardhë. Duhet t’i votoni kandidatët e LDK-së për deputetë dhe Hotin. Ky është fati dhe e ardhmja e Kosovës”, ka theksuar Mustafa.

Sipas kreut të LDK-së, Lëvizja Vetëvendosje nuk meriton të votohet, ndërkaq ka thumbuar edhe u.d e presidentes Vjosa Osmani, duke thënë se ata që kanë shkuar nga ky subjekt politik nuk mund ta marrin trashëgiminë e Ibrahim Rugovës.

“As këta tonët që e kanë thyer qafën e kanë shkuar në Listën e Vetëvendosjes nuk mund ta marrin trashëgiminë e Ibrahim Rugovës, as flamurin, as himnin dhe as kulturën tonë demokratike. Ajo është e jona. Ne dallojmë me ata që kanë kulturë tjetër. Kultura e tyre ka qenë kulturë rrënuese. E kanë refuzuar Planin e Ahtisaarit, pavarësinë dhe simbolet dhe nuk e meritojnë përkrahjen e qytetarëve që ta drejtojnë Kosovën. Ky që është në krye të komunës [Shpejtim Bulliqi] ju ka lënë pa viza. Të tillët nuk e meritojnë që të përkrahen”, ka deklaruar Mustafa./Zëri