LDK-ja lanson fushatën, prioritet shëndetësia në programin e saj zgjedhor

LDK-ja lanson fushatën, prioritet shëndetësia në programin e saj zgjedhor

Zgjedhjet 2021 February 03, 2021 - 08:23

LDK-ja ka shpalosur programin zgjedhor me të cilin synon t'i fitojë zgjedhjet e 14 shkurtit.

Përmes një komunikate për media të dërguar në mesnatë nga LDK-ja, kjo parti ka bërë të ditur pikat kryesore të programit.

Në fjalimin e tij, kryeministri në detyrë, njëherësh kandidat edhe për një mandat, Avdullah Hoti ka thënë se si prioritet të parë do të kenë shëndetësinë. Ai theksoi se do të sigurohen që qytetarët të vaksinohen kundër COVID-19.

Hoti po ashtu bëri të ditur se si prioritet do ta kenë edhe arsimin e zhvillimin ekonomik.

"Prioritet i dytë është arsimi. Ne zotohemi të rrisim pjesëmarrjen në arsimin parashkollor, të ulim numrin e nxënësve për klasë, të shkojmë drejt mësimit gjithë ditor, të forcojmë arsimin profesional, të rrisim cilësinë në arsim të lartë dhe të promovojmë shkencën. Ne zotohemi për investime në fuqizimin e rinisë, punë praktike me pagesë, grante për biznese për të rinj, bursa për talente, njohjen e punës vullnetare. Ne duam që të gjithë të shohin bukuritë dhe begatitë që ka Kosova. Do të zhvillojmë turizmin, të pavarësojmë institucionet e kulturës, të mbështesim artistët dhe ngjarjet kulturore. Zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia janë prioritet. Zotohemi të lehtësojmë kushtet e kredive, të subvencionojmë normat e interesit, grante për biznese, fiskalizim digjital dhe liberalizim i tregut të energjisë. Do të mbështesim bujkun dhe prodhuesin me shumë më tepër subvencione dhe grante, të orientuara kah prodhimi, me procedura transparente. Do të rrisim sipërfaqet bujqësore nën ujitje", ka thënë ndër të tjerash Hoti.

Ai po ashtu theksoi se paga minimale në vend do të jetë 300 euro pa dallim moshe.

"Paga minimale do të jetë 300 euro pa dallim moshe. Zotohemi të heqim kufizimin prej 15 vitesh për pensionet kontribut-dhënëse. Nuk do të ketë pensione nën pagën minimale nga viti 2023", tha Hoti.

Fjalimi i tij i plotë:

Prioritet i jonë i parë është shëndetësia. Do të sigurohemi që qytetarët të vaksinohen kundër covid-19, të fillojmë me sigurimet shëndetësore, dhe Sistemin Informativ Shëndetësor, dhe modernizim i pajisjeve mjekësore.

Prioritet i dytë është arsimi. Ne zotohemi të rrisim pjesëmarrjen në arsimin parashkollor, të ulim numrin e nxënësve për klasë, të shkojmë drejt mësimit gjithë ditor, të forcojmë arsimin profesional, të rrisim cilësinë në arsim të lartë dhe të promovojmë shkencën.

Ne zotohemi për investime në fuqizimin e rinisë, punë praktike me pagesë, grante për biznese për të rinj, bursa për talente, njohjen e punës vullnetare.

Ne duam që të gjithë të shohin bukuritë dhe begatitë që ka Kosova. Do të zhvillojmë turizmin, të pavarësojmë institucionet e kulturës, të mbështesim artistët dhe ngjarjet kulturore.

Zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia janë prioritet. Zotohemi të lehtësojmë kushtet e kredive, të subvencionojmë normat e interesit, grante për biznese, fiskalizim digjital dhe liberalizim i tregut të energjisë. Do të mbështesim bujkun dhe prodhuesin me shumë më tepër subvencione dhe grante, të orientuara kah prodhimi, me procedura transparente. Do të rrisim sipërfaqet bujqësore nën ujitje. Do të përmbyllim rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët dhe trajtimin e ujërave të zeza.

Zotohemi të digjitalizojmë të gjitha shërbimet publike në afat rekord, që të evitojmë çdo burokraci ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Do të digjitalizojmë shkollat tona dhe do të mbështesim bizneset inovative. Prokurimi publik do të jetë plotësisht elektronik, transparent dhe me standarde të reja, ku shpërblehen firmat që punojnë, që respektojnë kontratat që kryejnë punët me cilësi.

Odat dhe shoqatat profesionale do të marrin rol me ligj në zbatimin e politikave ekonomike dhe sociale.

Me partnerët tanë, do të sjellim gazin në Prishtinë dhe do ta lidhim Prishtinën me Durrësin me hekurudhë.

Paga minimale do të jetë 300 euro pa dallim moshe. Zotohemi të heqim kufizimin prej 15 vitesh për pensionet kontribut-dhënëse.

Nuk do të ketë pensione nën pagën minimale nga viti 2023. Asistenca sociale do të bazohet në shpenzimet e jetesës.

Do të ofrojmë kujdes institucional për personat me nevoja të veçanta.

Për të siguruar shtet ligjor plotësisht funksional, do të nisim vetingun në drejtësi që do të rris efikasitetin dhe transparencën në drejtësi.

Në të gjitha këto procese do të përfshihet mërgata jonë.

Sepse vetëm kështu, e konsolidojmë dhe forcojmë shtetin që e kemi nisur bashkë.