KQZ-ja tregon sa votues nga jashtë janë certifikuar, thotë se s’kanë mundur t’i telefonojnë të gjithë
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se të gjithë e-mailat që janë dërguar nga diaspora janë hapur, dhe se kanë telefonuar mbi 80 mijë qytetarë në diasporë, raporton Zeri.info
Ajo tha se ndonëse nuk kanë arritur t’i telefonojnë të gjithë, ata do të kenë mundësi të votojnë.
“Të gjithë ata që kanë dokumentuar zotësinë juridike të tyre, pra kanë bashkangjitur dokumentacionet që janë verifikuar nga shërbimi i listës së votuesve, janë përfshirë në listën përfundimtare të votuesve, dhe do të kenë të drejtë të votojnë pas pak çastesh. Askujt nuk do t’i mohohet e drejta kushtetuese. Edhe pse nuk kemi mundur t’i thërrasim të gjithë, ata prapë do të mund të votojnë”, u shpreh ajo.
Në këtë mbledhje, drejtori i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, Yll Buleshkaj njoftoi se nesër fillon fushata zgjedhore dhe u bëri thirrje partive politike që t’i respektojnë rregullat.
“Nga nesër fillon fushata zgjedhore e cila zgjat deri më 12 shkurt të këtij viti. I bëj thirrje të gjitha subjekteve politike që janë certifikuar që t’i përmbahen rregullave të KQZ-së, dhe të Qeverisë e MSH-së”, tha ai.
Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmeti, ka dhënë detaje për numrin e votuesve brenda një vendvotimi.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, asnjë vendvotim brenda qendrës së votimit nuk e kalon numrin e 750 votuesve. Nga praktikat e mëhershme, KQZ-ja e ka rritur në 950 dhe në bazë të saj është formuluar lista përfundimtare e votuesve. Numri maksimal i votuesve në vendvotim të jetë 950”, ka thënë Ahmeti.
Po ashtu, Ahmeti thotë se 37 mijë e 896 aplikues nga jashtë e kanë konfirmuar zotësinë juridike mirëpo nuk kanë arritur që të kontaktohen përmes telefonit dhe sipas tij rekomandohet që të gjithë të pranohen si votues jashtë vendit.
“37 mijë e 896 aplikues nga jashtë të cilët janë aplikues të suksesshëm dhe e kanë të konfirmuar zotësinë juridike por nuk kanë arritur që të kontaktohen përmes telefonit dhe rekomandimi është që të gjithë të pranohen si votues jashtë vendit”, ka thënë Ahmeti. /Zëri