Gërvalla: E drejta e votës është e drejtë kushtetuese dhe jo lëmoshë e Valdete Dakës
Kandidatja për deputete në listën e Vjosa Osmanit, Donika Gërvalla-Schwarz ka reaguar drejt kryetares së KQZ-së, Valdete Dakës për mos publikim të listës së votuesve dhe fletëvotimeve të mërgatës.
Ajo thekson se koha është e shkurtër dhe çdo vonesë e pafalshme.
“E drejta e votës është e drejtë kushtetuese dhe jo lëmoshë e Valdete Dakës. Sot në mesnatë ka filluar afati për votimin me postë, pra votimin e mërgatës. 10 orë më vonë nuk janë publikuar ende as listat e votuesve dhe as fletëvotimet. Koha është edhe ashtu tepër e shkurtër dhe çdo vonesë e pafalshme”, deklaron Gërvalla, transmeton Zeri.info.
Sipas saj KQZ-ja është kthyer në shkelësin më eklatant të kushtetutës duke iu pamundësuar me forma perfide qindra mijëra mërgimtarëve të japin votën dhe kontributin e tyre për ndryshimin.
Ajo shkruan mes tjerash se kjo nuk është thjesht një shkelje administrative. "Ky është një akt skandaloz i varësisë totale politike nga kapësit e shtetit. Ja pse secili dhe secila duhet të dalë më 14 shkurt dhe të japë votën e tij. Ndryshimi po vjen pashmangshëm dhe po vjen fuqishëm. Nuk ka kush që e ndal, as KQZ-ja” , tha ajo./Zëri/