Duda Balje: Lista Serbe po synon të marrë 2/3 në Kuvend – kjo është e rrezikshme

Duda Balje: Lista Serbe po synon të marrë 2/3 në Kuvend – kjo është e rrezikshme

Zgjedhjet 2021 February 01, 2021 - 10:02

Kryetarja e Listës së Bashkimit Socialdemokrat, Duda Balje, ka thënë se janë bërë gati për fushatë dhe zgjedhjet që do të mbahen më 14 shkurt.

“Gati jemi për zgjedhje, kemi bërë punë edhe për logjistikë edhe listën e kemi gati – sot po presim shortin për renditjen dhe të fillojmë fushatën”.

Balje në Sytë 7 në Klan Kosova foli edhe rreth problemeve që kanë me Listën Serbe rreth përfaqësimit të minoriteteve brenda Kuvendit të Kosovës.

“Lista serbe donë vota për vete, por kanë vendin e rezervuar dhe deri tash nuk kanë pasur konkurrencë e për këtë për ta ka qenë e lehtë të fitojnë 10 vende brenda Kuvendit. Pas deklarimit të ish-ministrit Rakiq ne kemi nis të dyshojmë se ata janë të interesuar edhe për më shumë ulëse”.

“Ata tashmë kanë filluar iniciativën e re të boshnjakëve dhe romëve në Mitrovicë dhe Graçanicë – kjo ende mbetet vetëm dyshim pasi nuk jemi të sigurt, por ne mund të shohim një plan sepse ata moti janë duke bashkëpunuar me vendin e goranëve brenda Parlamentit dhe tash ndoshta janë të interesuar për të siguruar edhe një vend boshnjakëve dhe romëve”.

Tutje Balje tregoi se Lista Serbe ka synim të marrë 2/3 brenda Kuvendit të Kosovës dhe kjo gjë është e rrezikshme.

“Mendoj se qëllim është të kenë 2/3 e komuniteteve brenda Kuvendit dhe kjo tregon fuqi”, tha Balje.

“Kjo gjë është e rrezikshme pasi nëse mund të mbërrijnë 2/3-tat atëherë disa ligje të fuqishme nuk mundesh me i votu me Kushtetutë pa pasur 2 të 3-tat. Mendoj se ky plan është duke u realizu dhe kjo për ta është e lehtë pasi pas zgjedhjeve kanë pasur 10 mijë vota shtesë dhe nëse prap ndodh e njëjta ata mund të shpërndajnë shumë lehtë ato 10 mijë vota në iniciativa që vet kanë formuar dhe të realizojnë planin e tyre”, tha Balje.

Balje tregoi se nuk di nëse Lista Serbe do të ketë ndonjë bashkëpunim me ndonjë subjekt politik kosovarë.

“Unë nuk e di nëse do të kenë ndonjë bashkëpunim me ndonjë parti kosovare, por në një emision televiziv kam dëgjuar se ata do të kenë bashkëpunime. Mbase ata kanë bërë ndonjë marrëveshje”./KK