Hoxhaj dhe Tahiri në Fushë Kosovë: Në 100 ditëshin e parë do të iniciojmë themelimin e Gjykatës Komerciale
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga kandidati për deputet Abelard Tahiri ka vizituar fabrikën për prodhimin e ngjyrave “Bitex”, në Fushë Kosovë.
Hoxhaj ka premtuar se themelimi i Gjykatës Komerciale do të jetë ndër vendimet e para që do të marrë pasi të drejtojë qeverinë e vendit, në kuadër të ndihmës për bizneset vendore.
Ai ka thënë se themelimi i kësaj gjykate përveç që do të ndihmonte bizneset vendore do të ndihmonte edhe investitorët e huaj që duan të investojnë në Kosovë të kenë siguri juridike.
"Për Partinë Demokratike të Kosovës sektori privat, ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe të mëdha janë partner që ta zhvillojmë ekonominë tonë, të krijojmë vende të reja të punës dhe ta rrisim mirëqenien. Po shpesh herë pronarët dhe ndërmarrjet kanë pasur probleme serioze për mënyrën e trajtimit të temave të caktuara në gjykatat tona, prioritet në qeverinë që do ta udhëheq unë është themelimi i Gjykatës Komerciale, e cila do t'i trajtojë të gjitha lëndët në përputhje me interesat që i ka biznesi në Kosovë. Së dyti, kjo Gjykatë do të ishte një garancë dhe do të ndihmonte investitorët e huaj të cilët duan që të investojnë në Kosovë që ata të kenë edhe siguri juridike edhe siguri politike", ka thënë ai.
Edhe Tahiri ka theksuar se qysh në 100 ditëshin e parë të qeverisjes së PDK-së do të angazhohen për themelimin e Gjykatës Komerciale, e cila do t’iu ofrojë lehtësi bizneseve të cilat kanë lëndë në gjykatat e vendit.
"Angazhimi jonë i parë në 100 ditëshin e parë të qeverisë së drejtuar nga z.Hoxhaj do të jetë inicimi i themelimit të Gjykatës Komerciale. Ju e dini që deri më tash ka jashtëzakonisht shumë kontestime të cilat kanë zgjatur me vite të tëra dhe që realisht iu kanë kushtuar bizneseve në kapitalin e tyre. Po ashtu, një proces tjetër i rëndësishëm është edhe procesi i privatizimit që tashmë janë mbi 20 mijë lëndë në gjykata të cilët kanë bllokuar dhjetëra miliona euro ato të bizneseve, të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe qe ende nuk janë zhbllokuar. Pra, ky angazhim, themelimi, inicimi i kësaj gjykate do të mundësojë që Republika e Kosovës të jetë më efikase në fushën e drejtësisë, një ndihmesë jashtëzakonisht e madhe që do të jetë për rimëkëmbjen ekonomike të vendit tonë", ka thënë ai. /Zëri