Hoxhaj: Në këto zgjedhje, rival të vetëm e kam Kurtin
Kandidati për kryeministër i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka ftuar sërish në debat Albin Kurtin, kandidatin për kryeministër nga LVV-ja.
Hoxhaj tha se për PDK-në rival në këto zgjedhje është vetëm LVV, në momentin kur u pyet se a do të del në debat edhe me kandidatët për kryeministër të partive tjera.
“Unë në këto zgjedhje jam rival vetëm e Kurtin. PDK është në rivalitet vetëm me LVV-në”.
Ai në “Rubikon” të Klan Kosovës ka deklaruar se ai dëshiron të ballafaqohet me të parin e LVV-së edhe për veprat e filozofit të njohur, Immanuel Kant.
“Unë i kam ndjekur debatet në Austri, Gjermani, Britani të Madhe, SHBA dhe në vende të tjera, atje kam parë që kandidatët për kryeministër dalin dhe garojnë për programet e tyre. Unë jam i interesuar të ballafaqohem me Albin Kurtin dhe të bisedojmë për politikë të jashtme, të bisedojmë për atë se çka do të bëjmë më dialogun me Serbinë dhe të shpalosim pikëpamjet e tij dhe pikëpamjet tona. Unë mendoj se PDK-ja ka programin më të mirë për këto zgjedhje”.
Hoxhaj ka ironizuar me Kurtin duke u shprehur se ai mendon se “vetë emri i tij është programi”.
“Albin Kurti mendon se vetëm emri dhe mbiemri i tij është programi. Ai nuk ka program për këto zgjedhje. Nuk ka vizion, ka qenë shpesh në anën e gabuar të historisë. Ai pretendon herë pas here se lexon libra filozofik, siç lexoj edhe unë. E kam parë më herët që ai e ka cituar në Rubikon, Kantin. Unë jam i gatshëm që të ballafaqohem me të edhe për Kantin, të cilin ai e ka lexuar serbisht dhe unë e kam lexuar gjermanisht”, ka deklaruar Hoxhaj.
Sipas Hoxhajt, Kurti ka bindjen se është mbi shtetin e Kosovës, ndërkohë që ka ftuar përsëri që të dalin në debat public përballë njëri-tjetrit.
“Unë mendoj se duhet të ketë ballafaqim të programeve, të zotimeve tona, duhet të mos i injorojmë qytetarët e Kosovës. Unë jam në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Unë nuk e kam bindjen si Kurti që LVV është mbi shtetin e Kosovës. PDK i shërben popullit të Kosovës. Ne jemi partia numër një nëse mbahen nesër zgjedhjet. Unë e ftoj Kurtin ta ndërtojmë një vend evropian, mënyra më e mirë është kur dalin në debat kandidatët për kryeministra”.
Hoxhaj ka thënë se deklarata e Kurtit se ata do të fitojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit janë si ato të Aleksander Lukashenko, president të Bjellorusisë.
“Sonte i them atij “dil matu, hajde debatojmë” për vijat programore. Mënyra që dikush t’i shpall zgjedhjet dhe të pretendojë se është shumicë në Kuvendin e Kosovës është një gjuhë që mund ta bëjnë vetëm autokratët”.
“Kjo deklaratë ju takon autokratëve, vetëm në vendet e Evropës Lindore, mund të ketë të tillë që para se të mbahen zgjedhjet i shpallin rezultatet zgjedhore, ta kujton Llukashenon në Bjellorusi. Kjo gjuhë nuk i shërben demokracisë, ballafaqimi debatet për vijat programore i shërbejnë demokracisë”./Zëri