LVV-ja dorëzon ankesën në Supreme, paralajmëron dërgim të rastit edhe në Kushtetuese

LVV-ja dorëzon ankesën në Supreme, paralajmëron dërgim të rastit edhe në Kushtetuese

Zgjedhjet 2021 January 27, 2021 - 15:52

Pas vendimit të PZAP-it kundër ankesave të disa prej subjekteve politike lidhur me moscertifikimin e listave zgjedhore për shkak të kandidatëve që kanë probleme me ligjin, Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesën e saj në Gjykatën Supreme, raporton “Zeri.info”.

Në një konferencë të mbajtur për media, zyrtari ligjor i LVV-së Blerim Sallahu ka thënë se Supremja do të jetë në favor të LVV-së, sepse ka prova dhe argumente ligjore për të argumentuar qartë një gjë të tillë.

"Gjykata Supreme ka fakte, ka prova, ka argumente ligjore, nënligjore të bollshme për të argumentuar qartë dhe për të nxjerrë vendim në favor të Lëvizjes Vetëvendosje. Unë mendoj që Gjykata Supreme do të marrë vendim në favor të LVV-së, ka argumente jashtëzakonisht të qëndrueshme për të rrëzuar një vendim antikushtetues dhe antiuniversal për të drejtën për të kandiduar si deputet i Lëvizjes Vetëvendosje", ka thënë ai.

Më tutje Sallahu tha se nëse ndodh e kundërta, atëherë do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar masë të përkohshme për pezullimin e një vendimi të tillë.

Sipas Sallahut, Supremja duke ditur argumentet e LVV-së, në asnjë variant nuk do të marrë vendim kundër moscertifikimit të pesë kandidatëve të kësaj partie për deputetë.

"Nëse ndodh e kundërta, tani jemi në dy rrafshe, rrafshin politik ku organet e LVV-së do të vendosin më tutje se çfarë do të bëjmë dhe patjetër që do t'i drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar masë të përkohshme për pezullimin e një vendimi të tillë. Por unë sërish theksoj se Gjykata Supreme në asnjë variant, duke ditur argumentet tona nuk do të marrë vendim kundër moscertifikimit të pesë kandidatëve të LVV-së për deputetë për faktin sepse ata kanë kryer disa vepra penale, të cilat nuk kanë kurrfarë pasojash juridike", ka thënë Sallahu.

Dje PZAP-i publikoi vendimin e saj lidhur me refuzimin e ankesave të subjekteve politike në lidhje me moscertifikimin e listave të tyre zgjedhore.

Vendimi i PZAP-it vjen pasi LVV-ja dhe parti të tjera ishin ankuar për moscertifikim të disa propozimeve të tyre për kandidatë për deputetë, në këtë mes edhe për liderin e LVV-së, Albin Kurti. /Zëri