Gjoshi i PDK-së: VV-në e mundim në zgjedhje edhe me apo pa Albin Kurtin në listë
Betim Gjoshi nga PDK-ja që ka qenë edhe anëtar i KQZ-së ka thënë se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetueses vetëm sa ka forcuar Ligjin për Zgjedhje.
Ai ka thënë se KQZ ka vepruar drejt në moscertifikimin e disa kandidatëve që kanë problem me ligjin duke thënë se padrejtësisht u ushtrua presion mbi këtë institucion, njofton Klan Kosova.
Megjithatë, opsionin e bojkotimit të zgjedhjeve nga Vetëvendosje Gjoshi nuk e pëlqen. Ai është i bindur se me këdo që vendos në listë kjo parti, PDK-ja do ta mposhtë.
“Ne si PDK nuk duam që askush të privohet prej zgjedhjeve. Ata i mirëpresim në garë dhe do të mundim me punën tonë dhe angazhimin përmes planit për rimëkëmbje, me deputetët e mirë që i kemi dhe s’kanë probleme me ligjin dhe me kriteret që i kemi vendosur në të kaluarën”.
“Nëse ata (Vetëvendosje) vendosin për rrugën e bojkotit atëherë na japin neve të gjithëve një pasqyrë se ka qenë një skenar shumë më herët i përgatitur nga ana e tyre që të vijë deri te kjo situatë ku ata të mos marrin pjesë sepse nuk kanë gatishmëri dhe as nuk do të kenë shancë me qeverisë në qeverinë e ardhshme dhe kështu për t’i arsyetuar ato sondazhet e fabrikuara ndoshta i mbetet rruga e fundit kjo, por unë s’e besoj. Dëshira jonë si PDK do të ishte që ata të jenë pjesë e procesit zgjedhor. Neve nuk na pengon kënd e kanë në listë në aspektin politik sepse edhe ashtu kur e kanë pasë në listë Albinin e Albulenën dhe të tjerët i kemi mundur ja pesë-gjashtë herë në zgjedhje. Kështu që s’e kemi problem me i mund prapë. Ne jemi të përgatitur që këdo që ata e fusin në listë ne të hymë në proces zgjedhor, por e kemi parë një situatë në Kosovë që për mua si qytetar ka qenë e frikshme”.
Gjoshi në Info Magazine përsëriti se dy qeveritë, Kurti dhe Hoti, nuk kanë ditur të menaxhojnë me pandeminë dhe me politikën e jashtme. /klankosova