Talljet e ironizimet me slloganet e partive në këto zgjedhje nuk kanë të ndalur

Talljet e ironizimet me slloganet e partive në këto zgjedhje nuk kanë të ndalur

Zgjedhjet 2021 January 24, 2021 - 22:19

Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar sot slloganin me të cilin do të kandidojë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Shteti. Shtet” është sllogani i përzgjedhur nga kjo parti, ndërsa që nga momenti i publikimit është përcjellur me ironi nga përkrahësit e partive të tjera politike në vend, raporton Zeri.info.

Këtyre talljeve u është bashkuar edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje.

Ajo përmes një postimi në “Facebook” ka ironizuar me këtë sllogan.

“Duda. Dudë”, ka shkruar Balje.

Edhe qytetarë tjerë e treguan kreativitetin e tyre duke u tallur me slloganin e LDK-së. "Qebap. Qebapi", "Facebook. Facebooku", "Hashim. Presidenti", e të ngjashme.

Shaka, ironizime e sulme pati edhe me slloganin e LVV-së, "Krejt dhe Drejt". Ajo u akuzua, kryesisht nga kundërshtarët politikë, se po e synon kapjen e shtetit.

Po ashtu, edhe sllogani i PDK-së nuk kaloi i pavërejtshëm.

"Rimëkëmbja" nga qytetarët u komentua në formën se kjo parti deri më tani i paska nëpërkëmbur qytetarët.

Kurse "Guximi" i Osmanit është komentuar pak, pasi e njëjta nuk arriti të regjistronte as nismë e as listë të veten në KQZ, duke vendosur qe t'i bashkohet listës së LVV-së.

Sllogani i saj u sulmua kryesisht nga ish-bashkëpartiakët e saj nga LDK-ja, të cilët nuk e cilësuan "të guximshëm" veprimin e saj, por edhe nga PDK-ja, e cila e akuzoi se ua ka vjedhur slloganin e tyre te viteve të hershme të 2000-ës.

E ai i AAK-së, "Forca e Kosovës", duket se nuk u bëri përshtypje "kreativëve". /Zëri

https://www.facebook.com/duda.balje/posts/1835240763305750