Haradinaj thotë se në mandatin e tij do t’i pajisë qytetarët e Luginës me shtetësi të Kosovës
Kreu i AAK-së, njëherësh kandidati për president të vendit, Ramush Haradinaj ka njoftuar se aktivitetin e sotëm në Fushë Kosovë e ka nisë me familjen e Dëshmorit, Naser Sekiraqa.
Ai më pas ka shpalosur programin e kësaj partie për mbijetesë dhe zhvillim ekonomik, duke theksuar se në mandatin e tij si president do të pajisë me shtetësi të Kosovës, Luginën e Preshevës.
“Aktivitetin në Fushë Kosovë, e nisa me vizitën në familjen e Dëshmorit Naser Sekiraqa. Dhembje, krenari e kujtime për të kaluarën tonë të lavdishme, motivim për të ndërtuar të ardhmen. Më pas, para strukturave të Aleancës në Fushë Kosovë shpalosa programin tonë për mbijetesën dhe zhvillimin ekonomik. Gjithashtu vëllezërve të Luginës së Preshevës, iu zotova se me të marrë mandatin si President i vendit do të inicoj dhe zbatoj me përpikëri planin e natyralizimit të tyre, duke i pajisur me shtetësi të Kosovës”, shkruan kreu i AAK-së, në Facebook, transmeton Zeri.info.
Haradinaj thotë se “Me këtë, luginasve do t’u mundësohet realizimi i një të drejte të ligjshme për dy shtetësinë”.
Sipas tij qeverisja e Aleancës e kishte gjithmonë në fokus Luginën.
“Gjatë Qeverisjes së Aleancës, Lugina ishte çdoherë në fokus, kur për herë të parë Kosova kishte ndarë mjete financiare, për ndërtimin e "Parkut të Paqes" në Preshevë, shkollës në Bujanoc, e të tjera. Edhe tani me adresimin e kërkesave për rikthimin e degës së gjykatës në Preshevë, mundësimin studentëve të juridikut nga Lugina për t'iu nënshtruar provimit të Jurisprudencës dhe angazhimin e praktikantëve në institucione, ministrat tanë dëshmuan se Aleanca i qëndron pranë Luginës me tërë kapacitetin e saj. Liria dhe barazia e Luginës janë shtylla mbi të cilat qëndron #ForcaeKosovës”, përfundon shkrimi i Haradinajt. /Zëri/