Bytyçi sqaron rastin e certifikimit të Xhavit Halitit nga KQZ-ja
Gjatë ditës së sotme, në media është raportuar se nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti është certifikuar nga KQZ-ja, ani pse në 3 vitet e fundit ai ka qenë nën akuzën se ka kryer veprën penale të sulmit ndaj Arben Gashit të LDK-së.
E zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi ka thënë se PDK-ja nuk ka qenë e njoftuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e as nga Drejtori i Zyrës për regjistrimin e partive politike në kuadër të KQZ-së, për ndonjë kandidat tjetër që nuk mund të garojë.
Bytyçi theksoi se PDK-ja kanë vepruar menjëherë pas njoftimit për të zëvendësuar një kandidat nga lista zgjedhore.
"Si parti politike, ne kemi vepruar menjëherë pas njoftimit për të zëvendësuar një kandidat të PDK-së nga lista zgjedhore. Partia Demokratike e Kosovës njofton opinionin se nuk kemi qenë të njoftuar nga KGjK-ja, e as nga Drejtori i Zyrës për regjistrimin e partive politike në kuadër të KQZ-së, për ndonjë kandidat tjetër që nuk mund të garoj. Ne po shpresojmë që ky lëshim është bërë pa qëllim nga KGjK-ja dhe zyra përgjegjëse në kuadër të KQZ-së. Për ne, vlen parimi i njëjtë tani më i konfirmuar me votën e përfaqësuesit tonë në KQZ. Kandidatët që kanë pasur probleme me ligjin, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të garojnë për zgjedhje dhe do të zëvendësohen menjëherë", ka shkruar Bytyçi në "Facebook". /Zëri