Rama (LVV): Nesër dorëzojmë ankesën në PZAP për moscerfikimin e listës
Anëtari i KQZ-së Alim Rama, i cili është i emëruar nga Lëvizja Vetëvendosje, është shprehur se që nesër do të dorëzojnë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me moscertifikimin të listës zgjedhore.
“Si për Vetëvendosjen, si për subjektet tjera, ka mbetur rruga ligjore. Ankesën në PZAP do ta dorëzojmë sipas afatit 24 orësh”, ka thënë Rama, njofton Klan Kosova.
“Hapi i parë është në PZAP, nëse palët nuk janë të kënaqura vazhdojmë me Gjykatë Supreme”.
Rama në Analizën Zgjedhore ka thënë se kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka bërë shmangie të rregullores sot duke anashkaluar rekomandimin e Zyrës për Regjistrim të Partive.
“Nuk ka arsye të mos certifikohet lista. Vendimi sot ka qenë që lista e 110 kandidatëve të mos certifikohet. LVV ka të drejtë të marrë pjesë në zgjedhje. Nuk ka mundësi që ta ndalë LVV-në të marrë pjesë në garë”
“Valdete Daka kur kemi filluar ta diskutojmë pikën e fundit të rendit të ditës, nuk e ka zbatuar rregulloren e KQZ-së”.