Kryetari i Zyrës për Certifikim pas vendimit të KQZ-së: E padrejtë të futen në një “thes” veprat penale të kandidatëve
Yll Buleshkaj, kryetar i Zyres per Certifikim, e ka vlerësuar si të padrejtë mos-specifikimin e formës së akt-vendimeve nga gjykatat, të lëshuara ndaj kandidatëve tashmë për deputetë nga subjektet e ndryshme politike.
Buleshkaj, në një intervistë për televizionin ‘T7’, ka deklaruar se ka pasur një “mish-mash” vendimesh ndaj kandidatëve për deputetë, duke filluar nga gjobat e trafikut e deri tek dënimet më të rënda.
“Rekomandimi jonë ka qenë i listave. Kemi pasur mish-mash vendimesh, prej gjobave të trafikut e deri në raste më të rënda. Ne konsiderojmë që është e padrejtë diçka e tillë”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka përmendur edhe “tendenca sulmesh” ndaj Zyrës për Certifikim nga PDK’ja, duke përmendur emrin e përfaqësuesit të kësaj partie, Arianit Elshanin.
“Ka pasur edhe tendenca të panevojshme që të sulmohet kjo zyre. Arjanit Elshani u lëshua në cilësinë histerike, edhe ndaj meje edhe ndaj zyres ku drejtoj”, ka deklaruar ai.
Këshilli Qëndror Zgjedhor (KQZ), duke zbatuar nenin 29, pikën q në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, nuk ka certifikuar listat e kandidatëve të partive politike, në mesin e të cilave ka pasur individë që kanë pasur probleme me ligjin në tri vitet e fundit.
Nga vendimi i së premtes, nuk janë çertifikuar lista e kandidatëve të VV’së dhe AAK’së. Nisma nuk është çertifikuar as si subjekt politik.