Humbja nga Barcelona e la pa gjumë yllin e Atletico Madridit
Alex Baena ende nuk e ka kaluar zhgënjimin nga disfata e Atletico Madridit kundër Barcelonës.
Skuadra e Diego Simeones humbi 1:2, pavarësisht një pjese të parë shumë të mirë, ndërsa mesfushori spanjoll ka pranuar se rezultati e ka prekur jashtëzakonisht shumë.
Duke folur për emisionin “El Larguero” të radios “Cadena SER”, Baena tha se Atletico kishte krijuar mundësi më të mira shënimi dhe se fitorja duhej t'i takonte skuadrës së tij.
“Zhvilluam pjesën e parë më të mirë që nga ardhja ime në klub. Patëm raste shumë më të qarta, por nuk shënuam. E meritonim të fitonim”, u shpreh ai.
Zhgënjimi ishte aq i madh, sa Baena nuk arriti të bënte gjumë pas ndeshjes.
“Nuk fjeta gjithë natën, sepse shkova në shtrat i zemëruar”, rrëfeu ai, duke përmendur edhe kartonin e kuq të Marcos Llorentes dhe kaosin që pasoi si pjesë të një mbrëmjeje shumë të vështirë. /Zëri