Kush është 17-vjeçari i talentuar që mori ftesë nga Jurgen Klopp në ekipin e parë gjerman? [video]

Kush është 17-vjeçari i talentuar që mori ftesë nga Jurgen Klopp në ekipin e parë gjerman? [video]

Sport November 06, 2026 - 00:03

Surpriza më e madhe në listën e Jürgen Klopp për ndeshjet e fundit të vitit është Wael Mohya, mesfushori 17-vjeçar i Borussia Mönchengladbachut, i cili tashmë ka thyer disa rekorde të klubit dhe konsiderohet një nga talentet më premtuese të futbollit gjerman.

Përzgjedhësi i Gjermanisë ka publikuar listën me 24 futbollistë për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, kundër Serbisë më 13 nëntor në Beograd dhe Holandës tri ditë më vonë në Berlin. Mohya është njëri prej tre lojtarëve të ftuar për herë të parë në ekipin A, së bashku me Finn Jeltsch dhe Brian Gruda.

“Nuk ka shumë 17-vjeçarë që luajnë aktualisht në Bundesligë dhe kjo, në vetvete, është diçka e jashtëzakonshme”, deklaroi Klopp për DFB TV, duke konfirmuar se ka qenë në kontakt me futbollistin dhe familjen e tij.

Rekord pas rekordi te Gladbachu

Mohya ka lindur më 31 dhjetor 2008 në Mettmann të Gjermanisë, në një familje me origjinë marokene. Ai iu bashkua akademisë së Borussia Mönchengladbachut në vitin 2016, kur ishte vetëm shtatë vjeç. Me klubin fitoi kampionatin gjerman për grupmoshën U-17, ndërsa që nga vera e vitit 2025 është pjesë e ekipit të parë.

Në tetor të vitit 2025, ai debutoi në Kupën e Gjermanisë kundër Karlsruhes, në moshën 16-vjeçare, nëntë muaj e 27-ditëshe, duke u bërë futbollisti më i ri që kishte luajtur ndonjëherë për klubin. Me këtë rast, ai theu rekordin e Karlheinz Pflipsen.

Në dhjetor të po atij viti, në ndeshjen kundër Wolfsburgut, Mohya u bë edhe futbollisti më i ri i Gladbachut që debutoi në Bundesligë, duke thyer rekordin e Marko Marinit, i cili kishte qëndruar në fuqi për gati dy dekada.

Talenti i tij u konfirmua edhe me golin e parë në elitën gjermane. Në mars, ai realizoi kundër Bayern Munichut në minutën e 89-të, vetëm pesë minuta pasi ishte futur në lojë. Në atë kohë, në moshën 17-vjeçare e pak më shumë se dy muaj, u bë golashënuesi më i ri në historinë e Gladbachut dhe i treti më i riu në historinë e Bundesligës, pas Youssoufa Moukokos dhe Florian Wirtzit.

Një nga pikat e pakta pozitive të Gladbachut

Mohya po vazhdon të impresionojë edhe këtë sezon. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat gjermane, ai ka luajtur në të dhjetë ndeshjet zyrtare të skuadrës, duke regjistruar tre gola dhe një asistim.

Me një gol dhe një asistim, ai ishte vendimtar në fitoren e parë sezonale të Gladbachut, 3-2 në udhëtim ndaj Stuttgartit. Për paraqitjet e tij, klubi e shpalli futbollistin më të mirë të muajit tetor.

Kjo formë merr edhe më shumë rëndësi duke pasur parasysh se Borussia Mönchengladbach po kalon një sezon të vështirë dhe aktualisht renditet në pozitën e fundit në Bundesligë.

Trajneri Alexander Blessin po i beson gjithnjë e më shumë minuta talentit të ri, por njëkohësisht ka theksuar se atij duhet t'i jepet kohë për pushim kur nuk është në gjendjen e duhur fizike.

Ndërkohë, sipas Sky, Gladbachu synon ta përmirësojë kontratën e tij para kohe. Aktualisht, paga bazë e Mohyas raportohet të jetë nga 600 mijë deri në 700 mijë euro në vit, ndërsa marrëveshja e re mund të arrijë në rreth dy milionë euro. Vlera e tij në treg vlerësohet në 17 milionë euro.

Gjermania apo Maroku?

Një nga çështjet më interesante rreth Mohyas mbetet e ardhmja e tij ndërkombëtare. Ai ka kaluar nëpër grupmoshat e Gjermanisë dhe ka luajtur edhe dy ndeshje për përfaqësuesen U21, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për kombëtaren që do ta përfaqësojë në të ardhmen.

Për shkak të prejardhjes së tij familjare, 17-vjeçari ka të drejtë të luajë edhe për Marokun. Ftesa e Jürgen Kloppit për ekipin A të Gjermanisë mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt vendimit të tij, megjithëse mediat gjermane theksojnë se ai ende nuk e ka mbyllur përfundimisht këtë çështje.

Derisa të paraqitet në një ndeshje zyrtare me ekipin e parë të Gjermanisë, Mohya vazhdon ta ketë mundësinë për të zgjedhur edhe përfaqësuesen e Marokut. /telegrafi

Image

Image

Image