E rrezikon burgun pas tragjedisë në fushë? Owono nën hetim pas vdekjes së futbollistit të Tenerifes

E rrezikon burgun pas tragjedisë në fushë? Owono nën hetim pas vdekjes së futbollistit të Tenerifes

Sport November 03, 2026 - 16:02

Jesús Owono mund të përballet me një proces gjyqësor pas aksidentit fatal që i mori jetën Jesús de Miguelit.

Portieri i Andorrës ishte protagonist i përplasjes me sulmuesin e Tenerife-s në ndeshjen e së hënës, ndërsa një ditë më vonë futbollisti 30-vjeçar ndërroi jetë në spital.

Autoritetet spanjolle kanë hapur hetime për të sqaruar ngjarjen dhe për të përcaktuar nëse ekziston përgjegjësi penale. Një prej mundësive që parashihet nga ligji është akuza për vrasje nga pakujdesia.

Në rast se provohet pakujdesia e rëndë dhe lidhja shkakësore me vdekjen, Kodi Penal spanjoll parasheh nga një deri në katër vjet burgim. Për pakujdesinë më të lehtë parashihen dënime të tjera.

Megjithatë, kartoni i kuq i marrë gjatë ndeshjes nuk përbën dëshmi të fajësisë penale. Hetimi duhet të analizojë pamjet e incidentit, raportet mjekësore dhe rrethanat e përplasjes.

Deri më tani, nuk ka një vendim gjyqësor që përcakton përgjegjësinë e portierit. /Zëri