Gaye: Zoti ishte me ne sot, por duhet të luajmë si kampionë

Gaye: Zoti ishte me ne sot, por duhet të luajmë si kampionë

Sport November 02, 2026 - 09:10

Baboucar Gaye ishte një nga protagonistët kryesorë të fitores së Shkëndijës në transfertën ndaj Bregallnicës, në Shtip. Portieri kuqezi, krahas disa pritjeve të rëndësishme gjatë ndeshjes, u bë vendimtar në minutën e 94-t, kur ndali penalltinë e Ivan Nikollovit dhe ndihmoi skuadrën të siguronte triumfin 2:1 në kuadër të xhiros së 12-të të Ligës së Parë.

Pas ndeshjes, Gaye foli për emocionet e kësaj fitoreje, bashkëpunimin dhe mbështetjen brenda grupit të portierëve, por edhe për atë që Shkëndija duhet të përmirësojë në vazhdim. Pavarësisht pritjes vendimtare, ai theksoi se skuadra duhet të jetë më dominuese dhe të luajë në nivelin që kërkon objektivi për titullin kampion.

Ndjenja pas penaltisë së pritur

Baboucarr Gaye: Së pari, jam shumë i lumtur për fitoren, mbi të gjitha. Po, për karrierën time personale është diçka e mirë të kesh ndeshje ku mund të bësh atë hap përpara dhe të përpiqesh të bësh atë për të cilën ke ardhur këtu të luash. Por po tregohem i sinqertë, më mirë do të preferoja të fitonim me lehtësi, pa qenë nevoja të jem unë në qendër të vëmendjes së ndeshjes apo diçka e tillë. Po, është diçka e mirë për besimin, natyrisht, por të tregohem i sinqertë, po përpiqem ta jap këtë në çdo ndeshje dhe në stërvitje edhe gjatë ndeshjeve, e di, në situata të mëdha, në situata të vogla, me pritje të mëdha, apo edhe thjesht me pozicionim. Thjesht po përpiqem ta përsos lojën time sa më mirë që mundem. Dhe në fund, natyrisht jam i lumtur që prita një penallti dhe e ndihmova ekipin të fitojë. Por po, është një ndjenjë e mirë, por në të njëjtën kohë nuk është gjëja më e rëndësishme.

Biseda me Ramanin para penaltisë

Baboucarr Gaye: Gjëja e parë që dua të them është se në përgjithësi kemi një raport shumë të mirë brenda grupit të portierëve. Në të gjithë ekipin po, por departamenti i portierëve është gjithmonë pak më i ndarë, stërvitemi veçmas para se t’i bashkohemi ekipit. Kështu që kemi një frymë shumë të mirë aty dhe e ndjej mbështetjen nga secili prej tyre. Dhe mendoj se edhe ata e ndjejnë mbështetjen time po ashtu. Dhe patëm një bisedë të shkurtër para çdo penalltie që ndodh, flas me Fekin (Feratin), sepse ai i njeh shumicën e lojtarëve, ka parë penalltitë që kanë gjuajtur më parë. Dhe e di, kishim një bisedë të shkurtër. Dhe sot thjesht po ndihesha sikur: “Ok, kam një ide për këtë penallti, çfarë mendon ti? Dhe po, i qëndruam asaj ideje. Ishte mirë që prita pak më gjatë në mes e më pas u përpoqa të reagoja. Dhe ai më inkurajoi ta bëja këtë. Jam i lumtur që e kam këtë mbështetje të tregohem i sinqertë, sepse nuk është gjithmonë kështu që të kesh një ambient aq familjar brenda ekipit, e di. Sepse natyrisht që ka konkurrencë, por mendoj se secili po e sheh tablonë më të madhe dhe jam shumë mirënjohës që kam djem të tillë rrotull meje.

Karikimi pas këtij triumfi

Baboucarr Gaye: Mendoj se euforia në futboll është shumë e rrezikshme. Kjo është një ndjenjë e mirë sepse në fund të ditës ndjen se: “Ok, e fituam këtë ndeshje në aksionin e fundit”, të gjithë janë në humor të mirë dhe të lumtur, por të jemi shumë të sinqertë dhe realistë, nuk duhet ta sjellim veten në situata ku ekipet kundërshtare të kenë mundësi të na mposhtin apo të barazojnë me ne në aksionet e fundit. Duhet të jemi më cinikë (të ftohtë) me siguri. Duhet t’i shfrytëzojmë rastet tona, duhet të mos u lejojmë këtyre ekipeve, me të gjithë respektin, nuk mund të lejojmë kaq shumë raste për çdo kundërshtar me të cilin luajmë. Duhet të jemi dominues. Po luajmë për ekipin më të madh në vend, kështu që duhet të luajmë ashtu. Duam ta fitojmë ligën, kështu që duhet të luajmë si kandidatë për kampionë. Dhe mendoj se kjo është diçka që duhet ta mësojmë nga këto ndeshje. Zoti ishte me ne sot, Elhamdulilah (falënderimi i takon Zotit), por nuk është gjithmonë kështu. Nuk është se do ta presësh gjithmonë penalltinë, nuk është se do të shënosh gjithmonë penalltinë në anën tjetër. Por duhet të jemi me këmbë në tokë, duhet të jemi realistë. Po, mund ta festojmë këtë fitore dhe është shumë mirë ta festojmë e të marrim gjërat pozitive me vete, por nuk mund t’ia lëmë gjërat rastësisë. Dhe kjo mendoj se është gjëja më e madhe për ne që duhet ta kuptojmë: me të gjitha ndjenjat e mira që vijnë me këtë, duhet të analizojmë se çfarë nuk po bëjmë mirë dhe duhet ta bëjmë më mirë, sepse ky duhet të jetë synimi ynë.