Ish-kandidati për president i Barcelonës e thumbon Real Madridin: Bilanci 13-5 po i mbyt madrilenët
Toni Freixa, ish-kandidati për president dhe ish-zëdhënësi i Barcelonës, ka thumbuar Real Madridin, duke theksuar epërsinë e klubit katalunas në trofetë e fituar gjatë 12 sezoneve të fundit.
Në një shkrim për gazetën katalunase “Sport”, Freixa ka kërkuar që humbjet e fundit të Barcelonës ndaj Paris Saint-Germainit dhe Real Madridit të mos konsiderohen si shenja të një krize.
Ai rikujtoi se Barcelona ka kaluar edhe më parë periudha të vështira, por ka ditur të reagojë. Sipas tij, skuadra ka fituar pesë nga gjashtë trofetë e mundshëm vendorë gjatë dy sezoneve të fundit.
Freixa më pas u ndal te bilanci i trofeve në 12 sezonet e fundit. Barcelona ka fituar shtatë tituj të La Ligës dhe gjashtë Kupa të Mbretit, ndërsa Real Madridi katër tituj të kampionatit dhe një Kupë të Mbretit.
“Bilanci 13-5 në trofe po e mbyt kampin e bardhë dhe shpjegon panikun që ndiejnë për mundësinë që kjo diferencë të rritet edhe më shumë këtë sezon”, ishte mesazhi i Freixas.
Ai beson se Barcelona po bën punë të mirë dhe do ta dëshmojë këtë sërish gjatë sezonit, pavarësisht kritikave dhe pesimizmit që, sipas tij, po nxitet nga disa qarqe. /Zëri