Agim Ademi po bën hajgare me popullin e varfër teksa flet për shtrenjtimin e biletave: Nëse nuk i keni 100 euro për një vit...

Agim Ademi po bën hajgare me popullin e varfër teksa flet për shtrenjtimin e biletave: Nëse nuk i keni 100 euro për një vit...

Sport October 21, 2026 - 13:34

Shtrenjtimi i biletave të Kombëtares së Kosovës u bë temë debati në javët e fundit.

Një biletë në Perëndim, besoni ose jo, gjatë ndeshjeve të shtatorit dhe tetorit kushtoi 50 euro, në Lindje 30 euro dhe në Veri dhe në Jug nga 20 euro.

Këto çmime janë ndër më të lartat në rajon, ndërsa dihet se me çfarë kushte të vështira financiare po përballet vendi ynë.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi nuk sheh arsye për t’u ankuar kur bëhet fjalë për biletat.

Sipas tij, krejt i kanë nga 100 euro në vit për ta përcjellë ekipin Dardan dhe ua sheh për të madhe atyre që ankohen për fryrjen e çmimit të biletave.

“Është e paarsyeshme domethënë gjithë ajo pluhur që u çu rreth kësaj pune. E kuptoj gjendjen ekonomike jashtëzakonisht mirë, se jetoj këtu, e nuk jam prej kumedit kuhit, s’kam ardhur prej marsi, por non-stop kam qenë në Kosovë, edhe kam kompani, kam punëtorë, kam familje, kam të gjitha, e dimë situtatën çfarë është, veç duhet me kuptu një gjë që asnjëherë nuk ka ndodhur me pas bileta më të ulta në një kombëtare, cila do që ka qenë ajo”, tha ditë më parë Ademi për KosovaPress.

“Dhe, është një degradim i vetës, nëse ti nuk e vlerëson vetën. Pra, Kosova i ka në vit pesë ndeshje, nëse nuk e ka shpirtin secili tifoz, secili njeri me i dhanë për pesë ndeshje ka 20 euro, që i bjen 100 euro në vit, domëthënë atëherë nuk është që e duan futbollin, po tash e tutje mund të them që do të ketë diçka tjetër, çmimin sa të mundemi ta mbajmë poshtë, do ta mbajmë”.

Nëse për Ademin, i cili i ka kushtet goxha mirë nuk është i shtrenjtë çmimi i biletave, për popullin gjithsesi se është.

Paramendojeni, nëse 4 anëtarë të familjes së njëjtë duan të shkojnë dhe ta ndjekin ndeshjen në stadiumin “Fadil Vokrri” në sektorin e Perëndimit, atyre iu duhen 200 euro.

Dhe kjo, vetëm për një ndeshje... /Zëri