Ten Hag sulmon sërish Ronaldon: E tradhtoi projektin e Manchester Unitedit
Erik ten Hag ka rikthyer kritikat ndaj Cristiano Ronaldos, duke pretenduar se ylli portugez nuk i përmbushi pritshmëritë dhe e zhgënjeu si atë, ashtu edhe skuadrën e Manchester Unitedit.
Në një intervistë për The Athletic, ish-trajneri i “Djajve të Kuq” zbuloi detaje të reja nga marrëdhënia e tensionuar me Ronaldon, duke kujtuar se kishte udhëtuar personalisht në Portugali për t’ia shpjeguar projektin e tij para se të merrte drejtimin e klubit anglez.
“Ai e la ekipin në baltë dhe më zhgënjeu edhe mua, sepse kishim planifikuar gjithçka duke llogaritur në të”, deklaroi Ten Hag.
Holandezi pranoi se e kishte respektuar jashtëzakonisht shumë Ronaldon, të cilin e konsideron një prej futbollistëve më të mëdhenj në histori, por theksoi se si trajner duhej të merrte vendime në interes të skuadrës.
“Nuk vraponte as me top, as pa top”
Ten Hag kritikoi edhe përgatitjen fizike dhe angazhimin e Ronaldos gjatë stërvitjeve. Sipas tij, portugezi nuk arriti ta përmbushte nivelin që kërkohej për ta zbatuar planin taktik të skuadrës.
“Shpesh i thosha: ‘Ronnie, të gjithë duam të punojmë për të të vendosur në pozitën e duhur, por nëse nuk futesh në zonë, nuk mund të shënosh’. Ai nuk vraponte as me top, as pa top. Arsyeja ishte se nuk ishte përgatitur siç duhej”, tregoi ish-trajneri.
Ai pretendoi gjithashtu se Ronaldo u kërkonte bashkëlojtarëve të kursenin energjitë gjatë stërvitjeve, një qasje që, sipas Ten Hagut, nuk përputhej me standardet që ai kërkonte nga ekipi.
Ndarja e bujshme në vitin 2022
Marrëdhënia mes të dyve u përkeqësua gjatë vjeshtës së vitit 2022. Ronaldo refuzoi të futej si zëvendësues në ndeshjen kundër Tottenhamit dhe më pas kritikoi publikisht klubin dhe trajnerin në një intervistë të bujshme.
Në nëntor të atij viti, Manchester Unitedi dhe Ronaldo e ndërprenë kontratën me marrëveshje të përbashkët, duke i dhënë fund aventurës së dytë të portugezit në “Old Trafford”.
Ten Hag, i cili u shkarkua nga Unitedi në tetor të vitit 2024, tani ka vendosur të flasë më hapur për konfliktin me një prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror. /Zëri