Barazim i plotë mes Barcelonës dhe PSG-së, rivaliteti që premton spektakël
Barcelona dhe Paris Saint-Germain përballen sonte në një duel të madh të Ligës së Kampionëve, me synimin për të marrë kreun e fazës së ligës. Historia e përballjeve mes dy skuadrave dëshmon se diferencat mes tyre kanë qenë minimale.
Në 16 ndeshje zyrtare evropiane, të dyja skuadrat kanë nga gjashtë fitore, ndërsa katër përballje kanë përfunduar në barazim. Edhe golat janë të barabartë: 29 për Barcelonën dhe 29 për PSG-në.
Përmbysja historike 6-1
Një nga ndeshjet më të paharrueshme mes tyre mbetet ajo e 8 marsit 2017. Barcelona, pas humbjes 4-0 në ndeshjen e parë të 1/8 së finales, realizoi një përmbysje të jashtëzakonshme duke fituar 6-1 në Camp Nou. Golin vendimtar e shënoi Sergi Roberto në minutat shtesë.
Barcelona kishte triumfuar edhe në çerekfinalet e vitit 2015, duke e eliminuar PSG-në me rezultat të përgjithshëm 5-1. Ndërsa në sezonin 2012/13, katalanasit kaluan tutje pas dy barazimeve, falë rregullit të golit si mysafir, i cili më vonë u hoq nga UEFA.
PSG-ja e ka ndryshuar historinë e viteve të fundit
Në sezonin 2020/21, skuadra franceze e eliminoi Barcelonën me fitore 4-1 në Camp Nou dhe barazim 1-1 në Paris.
Edhe çerekfinalet e sezonit 2023/24 përfunduan në favor të PSG-së. Barcelona fitoi 3-2 në ndeshjen e parë në Paris, por humbi 1-4 në kthim, pas një përballjeje të ndikuar edhe nga përjashtimi i Ronald Araujos. PSG-ja avancoi me rezultat të përgjithshëm 6-4.
Në përballjen e fundit zyrtare, në tetor të vitit 2025, PSG-ja fitoi 2-1 në Barcelonë.
Të dyja skuadrat vijnë në këtë sfidë me ambicie të mëdha dhe synojnë kreun e renditjes. Me historinë, rivalitetin dhe cilësinë që kanë në dispozicion, dueli në Paris pritet të jetë një nga përballjet më tërheqëse të kësaj faze të Ligës së Kampionëve. /Zëri