Si synon Luis Enrique ta ndalë Lamine Yamalin?

Si synon Luis Enrique ta ndalë Lamine Yamalin?

Sport October 19, 2026 - 15:24

Trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique, shpjegoi edhe planin që mendon se mund ta zvogëlojë rrezikun që vjen nga talenti i Barcelonës, Lamine Yamal.

“Është shumë e thjeshtë: nuk duhet ta lejojmë ta marrë topin, sepse nëse e merr, atëherë ka rrezik”, deklaroi ai.

“Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur ndaj Lamines është që Barcelona të mos e ketë topin”, theksoi trajneri i PSG-së.

Megjithatë, Luis Enrique e pranoi se zbatimi i këtij plani do të jetë shumë i vështirë, duke pasur parasysh cilësinë e skuadrës së drejtuar nga Hansi Flick.

“Ky është skenari ynë ideal, por nuk do të jetë aq e lehtë, sepse e dimë sa e vështirë është të luash kundër Barcelonës”, pranoi ai.

Trajneri i parisienëve kërkoi që skuadra e tij të mbështetet te loja kolektive dhe të mos përqendrohet vetëm te Lamine Yamal, pasi Barcelona ka shumë futbollistë që mund ta vendosin ndeshjen.

“E dimë se kanë lojtarë me shumë cilësi. Nuk është vetëm Lamine. Janë edhe Raphinha, Pedri, Cubarsi, Joan Garcia dhe shumë të tjerë”, deklaroi Luis Enrique.

Në fund, ai theksoi se PSG-ja duhet të ruajë përqendrimin gjatë gjithë ndeshjes dhe të përballet si ekip me rrezikun që paraqet Barcelona.

“Do të qëndrojmë të përqendruar dhe vigjilentë. Duhet ta përballojmë këtë sfidë si ekip”, përfundoi trajneri i PSG-së. /Zëri