Legjenda kolumbiane ndryshon pamje, Carlos Valderrama heq dorë nga flokët ikonë pas dekadash

Legjenda kolumbiane ndryshon pamje, Carlos Valderrama heq dorë nga flokët ikonë pas dekadash

Sport October 15, 2026 - 18:40

Carlos Valderrama, një prej futbollistëve më të dallueshëm të viteve ’90, ka surprizuar tifozët duke rruar kokën dhe duke hequr dorë nga modeli i flokëve kaçurrela që e shoqëroi gjatë gjithë karrierës.

Ish-ylli i kombëtares së Kolumbisë, tashmë 65 vjeç, ka vendosur t’i japë fund një prej tipareve më karakteristike të imazhit të tij.

Këtë herë, ishte bashkëshortja e tij, Elvira Redondo, ajo që mori makinën e qethjes dhe i preu flokët legjendarë.

Momenti i veçantë u publikua nga vetë Valderrama në Instagram, ku ai shoqëroi videon me mesazhin: “Njerëzit e mi, sot është dita”.

Përpara se të niste transformimi, bashkëshortja e pyeti nëse ishte gati për këtë ndryshim. Përgjigjja e ish-futbollistit, e shoqëruar me një gjest që tregonte pasiguri, ishte “pak a shumë”.

Megjithatë, ai e përballoi me buzëqeshje procesin, deri në momentin kur pamja e tij ndryshoi plotësisht.

Redondo nuk i kurseu as batutat, duke komentuar se si do të reagonin nipërit dhe mbesat kur ta shihnin gjyshin pa flokët e tij të famshëm.

Në fund, ajo e prezantoi me humor pamjen e re të bashkëshortit, duke e quajtur “Valderrama tullaci”.

Refuzoi 2 milionë dollarë për të mos i prerë flokët

Flokët kaçurrela kanë qenë për dekada pjesë e identitetit të Valderrama-s, duke e bërë atë një nga figurat më të njohura të futbollit botëror.

Në fund të viteve ’80 dhe gjatë viteve ’90, kolumbiani spikati jo vetëm për pamjen e tij, por edhe për pasimet e sakta dhe teknikën e shkëlqyer.

Madje, sipas asaj që kishte treguar vetë në prill, përpara Kupës së Botës 1994 ai kishte refuzuar një ofertë prej 2 milionë dollarësh për të prerë flokët e tij karakteristikë.

Ende nuk dihet arsyeja që e shtyu të ndërmerrte këtë ndryshim pas kaq shumë vitesh. Megjithatë, reagimet e tifozëve në rrjetet sociale kanë qenë kryesisht pozitive.

“Kur je i pashëm, je i pashëm. Të shkon shumë”, shkroi një tifoz, ndërsa një tjetër komentoi: “Legjendë me apo pa flokët e famshëm”.

Pavarësisht pamjes së re, Valderrama mbetet një nga emrat më të mëdhenj të historisë së futbollit kolumbian, i kujtuar për talentin, stilin e veçantë dhe paraqitjet me kombëtaren në skenën ndërkombëtare.