Wenger, kandidati i mundshëm për ta sfiduar Infantinon për presidencën e FIFA-s

Wenger, kandidati i mundshëm për ta sfiduar Infantinon për presidencën e FIFA-s

Sport October 15, 2026 - 16:39

Arsène Wenger mund të jetë kandidati që do ta sfidojë Gianni Infantinon në garën për presidencën e FIFA-s.

Sipas raportimeve të mediave angleze, disa drejtues të futbollit evropian dëshirojnë ta bindin ish-trajnerin e Arsenalit që të kandidojë në zgjedhjet e vitit 2027.

Wenger, 76-vjeçar, aktualisht mban postin e drejtorit për zhvillimin global të futbollit në FIFA, pozitë të cilën e mori në vitin 2019, pas largimit nga Arsenali.

Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se francezi do të hyjë në garë.

Emri i tij po shqyrtohet nga kundërshtarët e Infantinos, të cilët po kërkojnë një kandidat me reputacion ndërkombëtar dhe mbështetje të mjaftueshme për ta sfiduar presidentin aktual.

Pakënaqësitë ndaj Infantinos janë shtuar pas polemikave rreth projektit FIFA Forward Enterprise, i cili parashihte përfshirjen e investitorëve privatë në aktivitetet komerciale të organizatës, përfshirë të ardhurat nga Kupa e Botës.

Projekti u tërhoq pas kundërshtimeve të shumta.

Wenger kishte deklaruar më herët se nuk ishte përfshirë në hartimin e këtij plani dhe se kishte mësuar për të përmes raportimeve në media.

Ai e cilësoi tërheqjen e projektit si të domosdoshme, duke theksuar rëndësinë e një FIFA-je të pavarur, transparente dhe të përkushtuar ndaj zhvillimit të futbollit.

Zgjedhjet për presidentin e FIFA-s janë paraparë të mbahen më 18 mars 2027, në Rabat të Marokut.

Për të kandiduar, Wenger do të duhej të siguronte nominimin nga të paktën pesë federata kombëtare deri më 18 nëntor.

Për momentin, Infantino mbetet favoriti për rizgjedhje, por përpjekjet e kundërshtarëve për të gjetur një rival serioz tregojnë se gara për udhëheqjen e futbollit botëror mund të jetë më e tensionuar se sa pritej. /Zëri