Antionio Conte pran rikthimit sensacionale në Ligën Premier

Antionio Conte pran rikthimit sensacionale në Ligën Premier

Sport September 23, 2026 - 19:41

Antonio Conte është shfaqur si një nga kandidatët kryesorë për të pasuar Michael Carrick në stolin e Manchester Unitedit, në rast se drejtuesit e klubit vendosin të bëjnë ndryshime në pankinë.

Raportimet nga Italia bëjnë të ditur se Conte është aktualisht një prej emrave më të preferuar në rast të një ndryshimi të mundshëm te “Djajtë e Kuq”. Megjithatë, deri tani nuk ka marrëveshje dhe gjithçka lidhet me të ardhmen e Carrickut.

Conte është pa klub që nga vera, kur ndërpreu me marrëveshje të dyanshme kontratën me Napolin, një vit para përfundimit të saj.

Gjatë dy sezoneve në Napoli, trajneri italian fitoi titullin e Serie A dhe Superkupën e Italisë, ndërsa skuadra e tij përfundoi në dy vendet e para të kampionatit në të dy sezonet.

Manchester United ka pasur një fillim të vështirë të sezonit dhe rezultatet kanë shtuar diskutimet rreth të ardhmes së Carrickut. Sipas raportimeve të Calciomercato, Conte është një prej alternativave të konsideruara nga drejtuesit në rast se vendosin të ndryshojnë trajner.

Emri i Contes është lidhur edhe me Juventusin dhe Milanin, por trajneri 57-vjeçar mbetet aktualisht pa angazhim. Në Angli ai ka një eksperiencë të rëndësishme, pasi drejtoi Chelsean dhe fitoi Ligën Premier në sezonin 2016/17, ndërsa më vonë u rikthye në kampionatin anglez me Tottenhamin.

Periudha e Contes te Tottenham nuk ishte në të njëjtin nivel me eksperiencën e tij te Chelsea dhe përfundoi në mars të vitit 2023. Para aventurës në Angli, ai kishte fituar pesë tituj të Serie A dhe dy Superkupa të Italisë.

telegrafi.com

Tani, emri i tij është rikthyer në qendër të vëmendjes në Angli. Nëse Manchester United vendos të ndahet me Carrickun, Conte raportohet të jetë një prej kandidatëve kryesorë për të marrë drejtimin e skuadrës. Për momentin, bëhet fjalë vetëm për një skenar të mundshëm dhe jo për një marrëveshje të arritur. /telegrafi