Russell Westbrook njofton pensionimin pas 18 sezoneve në NBA

Russell Westbrook njofton pensionimin pas 18 sezoneve në NBA

Sport August 12, 2026 - 22:34

Russell Westbrook ka njoftuar pensionimin nga basketbolli pas 18 sezoneve në NBA.

37-vjeçari, i cili konsiderohet si një kandidat i ardhshëm për në “Hall of Fame”, e bëri të ditur vendimin të mërkurën përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku përmblodhi momentet më të rëndësishme të karrierës së tij.

Westbrook luajti në NBA nga viti 2008 deri në vitin 2026, ndërsa periudhën më të suksesshme e pati me Oklahoma City Thunder, ku kaloi 11 sezonet e para të karrierës.

Ai ishte një prej basketbollistëve më të mirë të NBA-së gjatë viteve 2010 dhe në sezonin 2016/17 u shpall MVP i ligës me Oklahoma City Thunder.

“Shpeshherë as nuk e kupton se tashmë e ke parë fundin. Duhej të ishe aty. Dhe tani ka përfunduar”, ka thënë Westbrook në videon e tij të lamtumirës.

Gjatë karrierës së tij, Westbrook luajti edhe për Houston Rockets, Washington Wizards, Los Angeles Lakers, LA Clippers dhe Denver Nuggets, përpara se sezonin e kaluar të nënshkruante kontratë njëvjeçare me Sacramento Kings.

Me Kings, ai regjistroi mesatarisht 15.2 pikë, 6.7 asistime, 5.4 kërcime dhe 1.3 topa të vjedhur për ndeshje. Megjithatë, pas përfundimit të sezonit ai mbeti lojtar i lirë dhe nuk kishte gjetur klub të ri.

Westbrook e mbyll karrierën me një CV të jashtëzakonshme.

Ai ishte nëntë herë All-Star, nëntë herë pjesë e All-NBA, dy herë golashënuesi më i mirë i NBA-së dhe tri herë lider i ligës për asistime.

Një prej arritjeve më të mëdha të tij ishte bëhet lojtari i parë pas rreth 60 vitesh, që nga Oscar Robertson, që përfundoi një sezon me mesatare triple-double.

Westbrook e përsëriti këtë sukses edhe katër herë brenda pesë sezoneve, duke vendosur një rekord të jashtëzakonshëm në historinë e NBA-së.

Ai është një prej vetëm tre lojtarëve në historinë e NBA-së që ka regjistruar mesatare triple-double për një sezon, së bashku me Oscar Robertson dhe Nikola Jokic./telegrafi