Harry Kane fiton Këpucën e Artë të Evropës për herë të dytë
Harry Kane është shpallur fitues i Këpucës së Artë të Evropës për sezonin 2025/26, pasi ishte golashënuesi më i mirë në kampionatet evropiane.
Sulmuesi anglez e fitoi këtë çmim për herë të dytë në karrierë, pasi kishte triumfuar edhe në sezonin 2023/24. Kane e siguroi trofeun pasi shënoi 36 gola në Bundesligë gjatë sezonit të kaluar, duke lënë pas konkurrencën për çmimin prestigjioz.
Me këtë sukses, Kane i bashkohet një grupi të veçantë të futbollistëve që kanë fituar Këpucën e Artë të Evropës më shumë se një herë. Vetëm Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo e kanë fituar këtë trofe më shumë herë se sulmuesi anglez.
Ceremonia zyrtare e dorëzimit të trofeut do të zhvillohet më 19 gusht në muzeun e Bayern Munichut.
Presidenti i Bayern Munichut, Herbert Hainer, e ka lavdëruar ndikimin e Kane në historinë e klubit.
“Te Bayerni, Harry Kane është në një linjë me sulmues legjendarë si Gerd Muller dhe Karl-Heinz Rummenigge, ndërsa ai po e vazhdon këtë histori të golashënimit në ditët e sotme, duke e çuar rolin e sulmuesit në një nivel të ri”.
“Ai është një udhërrëfyes për ekipet e tij, brenda dhe jashtë fushës, sepse gjithmonë udhëheq me karakter dhe ndjenjë të fortë komuniteti. Jemi krenarë që është pjesë e familjes së Bayern Munichut”, deklaroi Haineri.
Edhe drejtori i Bayern Munichut, Jan-Christian Dreesen, theksoi cilësitë e Kane si lider dhe kompletimin e tij si futbollist.
“Kur Harry Kane luan, e gjithë bota e shikon. Ai e ka ngritur Bayern Munichun dhe Bundesligën në një nivel të ri”.
“Në mënyrë jo të zakonshme për një sulmues, ai vendos përgjegjësinë ndaj ekipit mbi suksesin personal. Gjithmonë i ka bashkëlojtarët në vëmendje, si brenda ashtu edhe jashtë fushës”.
“Qëndrimi, aftësitë dhe karakteri i tij e bëjnë atë sulmuesin më të kompletuar të gjeneratës së tij dhe një shembull të jashtëzakonshëm edhe jashtë fushës. Harry Kane thjesht ka stil dhe e meriton çdo trofe në botë”, u shpreh Dreeseni.
Në moshën 33-vjeçare, Kane vazhdon të jetë një prej sulmuesve më produktivë në Evropë, ndërsa sezoni i kaluar i ka sjellë edhe një tjetër njohje të rëndësishme individuale.