Kosova tërhiqet nga Kampionati Evropian i Golfit, Qiproja nuk lejoi paraqitjen me flamurin shtetëror
Federata e Golfit e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Seniorëve 2026, i cili ka nisur në Paphos të Qipros, për shkak të moslejimit të paraqitjes së Kosovës me simbolet e saj shtetërore.
Sipas federatës, golfisti kosovar Azer Bislimaj ishte kualifikuar për herë të dytë radhazi në këtë kampionat prestigjioz evropian, ndërsa regjistrimi zyrtar i Kosovës ishte përfunduar që më 23 prill 2026 dhe të gjitha obligimet financiare ishin kryer me kohë.
Federata thekson se Bislimaj kishte zhvilluar përgatitje intensive për garën, përfshirë dy kampe stërvitore në Spanjë dhe pesë javë stërvitje në Gjermani nën drejtimin e trajneres gjermane Madeleine Krüger.
Në komunikatë thuhet se European Golf Association (EGA) ishte angazhuar për të mundësuar pjesëmarrjen e Kosovës dhe kishte përfshirë emrin e lojtarit dhe flamurin e Kosovës në sistemet zyrtare të kampionatit.
Megjithatë, më 27 maj 2026, Federata e Golfit e Kosovës njofton se është informuar se autoritetet shtetërore të Qipro, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së këtij shteti, nuk do të lejonin paraqitjen e Republikës së Kosovës me simbolet e saj shtetërore në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera pjesëmarrëse.
“Konkretisht, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës nuk do të mund të shfaqej në vendin e garës në të njëjtën mënyrë si flamujt e 28 shteteve të tjera pjesëmarrëse”, thuhet në komunikatë.
Federata thekson se nuk ishte njoftuar për një kufizim të tillë gjatë procesit të regjistrimit apo në javët pasuese dhe se informacioni është komunikuar vetëm pasi përgatitjet sportive, organizative dhe financiare ishin përfunduar.
“Ne nuk mund të pranojmë pjesëmarrje në gara ndërkombëtare në kushte të pabarabarta dhe pa të drejtën për të përfaqësuar shtetin tonë me identitetin dhe simbolet e tij zyrtare”, thuhet në reagim.
Për këtë arsye, Federata e Golfit e Kosovës ka vendosur të mos autorizojë pjesëmarrjen e përfaqësuesit të saj në Kampionatin Evropian të Seniorëve 2026, duke shprehur njëkohësisht shpresën se situata të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen./Zëri