Desailly: Franca favorite për Botërorin, Portugalia mund të jetë surpriza

Desailly: Franca favorite për Botërorin, Portugalia mund të jetë surpriza

Sport June 10, 2026 - 18:44

Ish-kapiteni i Francës dhe kampioni i botës, Marcel Desailly, e ka parë Francën një nga favoritët kryesorë për ta fituar Kupën e Botës 2026, por sipas tij, konkurrenca do të jetë shumë e fortë.

Desailly, i cili fitoi Botërorin me Francën në vitin 1998 dhe Kampionatin Evropian në vitin 2000, ka vlerësuar cilësinë e skuadrës aktuale franceze, duke thënë se ajo ka një nga përbërjet më të forta në futbollin botëror.

“Kur shikon emrat që ka Franca, vështirë të gjesh një kombëtare tjetër me kaq shumë cilësi. Spanja mund të jetë shumë e fortë, ndërsa Argjentina është kampione në fuqi. Por nëse Didier Deschamps arrin ta organizojë mirë skuadrën taktikisht, Franca do të jetë sërish mes më të mirave”, ka deklaruar Desailly.

Legjenda franceze e ka veçuar edhe Portugalinë si një nga skuadrat që mund të befasojë në turneun që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Desailly është ndalur edhe te ndeshja e famshme e Botërorit 2002, kur Franca ishte mposhtur 1:0 nga Senegali në takimin hapës. Ai ishte kapiten i francezëve në atë ndeshje.

“Shumë prej futbollistëve të sotëm as nuk kishin lindur atëherë. Për ta, ajo është histori. Senegali mund ta përdorë atë fitore si motivim, por për Francën është një realitet krejt tjetër”, ka thënë ish-mbrojtësi shtatgjatë.

Sa u përket kombëtareve afrikane, Desailly ka thënë se pret paraqitje të mira dhe mendon se disa prej tyre mund të jenë surprizat e këtij Botërori. Ai i ka përmendur Marokun, Senegalin, Bregun e Fildishtë dhe Ganën si skuadra që kanë potencial për të arritur rezultate të rëndësishme.