Të lodhur nga lëndimet, Bayerni po e shet Alphonso Daviesin
E ardhmja e Alphonso Davies te Bayern Munich duket më e pasigurt se kurrë, me gjigantët bavarezë që po shqyrtojnë seriozisht shitjen e mbrojtësit kanadez gjatë kësaj vere.
Sipas raportimeve të Sport Bild, drejtuesit e Bayernit kanë nisur bisedimet me disa klube nga Arabia Saudite për transferimin e 25-vjeçarit, i cili nuk konsiderohet më pjesë e pandashme e planeve të klubit.
Ardhja e mundshme e Nathaniel Brown nga Eintracht Frankfurt për rreth 60 milionë euro ka përshpejtuar përpjekjet e Bayernit për t’i gjetur Daviesit një destinacion të ri. Përfaqësues nga Arabia Saudite thuhet se kanë vizituar tashmë zyrat e klubit gjerman për të diskutuar kushtet e një marrëveshjeje të mundshme.
Lëndimet e shpeshta dhe paga e lartë e mbrojtësit kanë bërë që Bayern të jetë i gatshëm të dëgjojë oferta të konsiderueshme. Edhe pse Davies rinovoi kontratën e tij me klubin vetëm vitin e kaluar, konkurrenca në rritje mund ta reduktojë ndjeshëm rolin e tij në ekip.
Klubet saudite nuk e kanë problem aspektin financiar të operacionit dhe negociatat mund të avancojnë shpejt nëse paraqiten oferta konkrete në javët e ardhshme. Ndërkohë, përfaqësuesit e lojtarit po shqyrtojnë me kujdes të gjitha opsionet, ndërsa Bayern synon të sigurojë fonde për afrimet e reja para nisjes së përgatitjeve për sezonin e ri.
Vendimi final pritet t’i takojë vetë Davies, i cili duhet të përcaktojë nëse do ta vazhdojë karrierën në Evropë apo do të pranojë sfidën e re në Arabinë Saudite. /telegrafi
