Raphinha flet për marrëdhënien e tij me Yamalin: E shoh si një vëlla shumë më të vogël

Raphinha flet për marrëdhënien e tij me Yamalin: E shoh si një vëlla shumë më të vogël

Sport May 20, 2026 - 16:49

Ylli brazilian i Barcelonës, Raphinha, ka folur për marrëdhënien e tij të ngushtë me talentin e ri Lamine Yamal, duke zbuluar se mes tyre ekziston një lidhje e fortë si brenda ashtu edhe jashtë fushës.

Në një intervistë për TNT Sports, sulmuesi brazilian u ndal te festimet e tyre virale, duke theksuar se ato burojnë më shumë nga miqësia sesa nga ndonjë plan i menduar paraprakisht.

“Ai është 11 vite më i ri se unë. Për festimin tonë të përbashkët, e pamë në internet dhe vendosëm ta bënim. Doli shumë mirë. Nuk ka ndonjë domethënie të madhe simbolike, përveç asaj ndjenje vëllazërie. Unë e shoh vërtet si një vëlla shumë më të vogël”, deklaroi Raphinha.

Braziliani tregoi gjithashtu se përpiqet ta ndihmojë dhe ta këshillojë Yamalin, duke vlerësuar talentin e jashtëzakonshëm që posedon adoleshenti spanjoll.

“Mundohem t’i jap këshilla sa më mirë që mundem. Cilësinë që ai ka nuk mund ta mësosh brenda natës, është talent natyral. Gjithmonë përpiqem t’i transmetoj pak nga eksperienca ime”, shtoi ai.

Në fund, Raphinha lavdëroi edhe karakterin dhe sjelljen e 18-vjeçarit, duke theksuar se Yamal është i gatshëm të dëgjojë dhe të mësojë nga lojtarët më me përvojë të Barcelonës.

“Ai është një djalë shumë i mirë. Dëgjon, kërkon shpesh këshilla dhe edhe kur gabon diçka, ne ia themi dhe ai e pranon”, përfundoi braziliani.