Arianit Krasniqi shkëlqen në Gjermani me fitore spektakolare me TKO
Weil am Rhein në Gjermani përjetoi të shtunën e kaluar një mbrëmje të jashtëzakonshme boksi me atmosferë elektrizuese dhe interesim të madh nga publiku. BC Weil am Rhein organizoi një mbrëmje ndërkombëtare boksi me rreth 25 duele cilësore, ku kulmi i eventit ishte dueli kryesor mes talentit gjerman me origjinë shqiptare, Arianit Krasniqi, dhe boksierit çek Daniel Mychajlyk.
Para një salle plotësisht të mbushur me rreth 1.300 deri në 1.500 shikues, Arianit Krasniqi zhvilloi një paraqitje mbresëlënëse dhe tregoi edhe një herë pse konsiderohet ndër talentet më të mëdha të boksit amator në Gjermani. Që në raundin e parë ai dominoi totalisht kundërshtarin me teknikë të lartë, ritëm të madh dhe kombinime precize, duke kontrolluar luftën në çdo moment.
Në raundin e dytë, Krasniqi vazhdoi me presionin dhe superioritetin e tij, derisa arbitri ndërpreu ndeshjen pas një dominance të plotë, duke i dhënë fitoren me Technical Knockout (TKO). Publiku shpërtheu në ovacione dhe e festoi fuqishëm triumfin e boksierit shqiptar.
Me këtë paraqitje, Arianit Krasniqi dërgoi një mesazh të qartë drejt skenës ndërkombëtare të boksit amator. Ai konsiderohet një nga shpresat më të mëdha për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028” dhe në Weil am Rhein tregoi se është në rrugën e duhur drejt majave të sportit botëror.
Atmosfera në sallë ishte e jashtëzakonshme. Mbështetës nga Rottweil, Basel, Weil am Rhein, Lörrach dhe shumë qytete të tjera kishin ardhur për të përkrahur Arianitin. Emri “Krasniqi” vazhdon të ketë peshë të madhe në botën shqiptare dhe të boksit. Arianiti është nipi i legjendës së boksit shqiptar dhe ish-kampionit europian të peshave të rënda, Luan Krasniqi, një nga figurat më të mëdha sportive shqiptare ndër vite, i cili ka frymëzuar breza të tërë shqiptarësh në mbarë botën. Po ashtu, Arianiti është vëllai i boksierit profesionist Ardian Krasniqi, duke vazhduar kështu traditën e fuqishme sportive të familjes Krasniqi.
Në këndin e tij ndodheshin trajneri dhe babai i tij, Agim Krasniqi, si dhe bashkëtrajneri Lindim Shabanaj, të cilët kanë rol të madh në zhvillimin dhe sukseset e vazhdueshme të Arianitit.
Vlerësime të mëdha mori edhe klubi organizator BC Weil am Rhein, i cili realizoi një event të nivelit të lartë si në aspektin sportiv ashtu edhe organizativ. Organizatorët kryesorë, Kreshnik Tolaj dhe Gazmend Turkaj, së bashku me ekipin e tyre, dëshmuan profesionalizëm dhe përkushtim maksimal për të sjellë një mbrëmje të paharrueshme boksi.
Pas kësaj fitoreje bindëse, rruga e Arianit Krasniqit vazhdon vetëm përpara. Synimi i tij mbetet i qartë: maja e boksit botëror dhe pjesëmarrja në Lojërat Olimpike 2028 në Los Angeles./Zëri
