Zyrtare: Kosova me dy miqësore në qershor, Çekia jashtë dhe Andorra në “Fadil Vokrri”
Foto: Laura Hasani

Zyrtare: Kosova me dy miqësore në qershor, Çekia jashtë dhe Andorra në “Fadil Vokrri”

Sport May 11, 2026 - 12:14

Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë muajit qershor, në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, që nis në shtator e ku do të garojë në Ligën B.

Dardanët fillimisht do të përballen me Kombëtaren e Çekisë, më 31 maj, në stadiumin “Epet Arena” në Pragë. Kjo ndeshje pritet të jetë një test i rëndësishëm për ekipin e drejtuar nga përzgjedhësi Franco Foda, përballë një kundërshtari cilësor evropian.

Çekia e siguroi pjesëmarrjen në Botërorin 2026 pasi e mposhti Danimarkën pas penalltive në “play-off”-in evropian, duke u rikthyer në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 2006. Aktualisht çekët renditen në pozitën e 41-të në ranglistën e FIFA-s.

Dardanët janë përballur me Çekinë deri më tash dy herë dhe atë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2020. Në ndeshjen e parë më 7 shtator, 2019 kishin fituar në “Fadil Vokrri”, 2:1, derisa në ndeshjen e kthimit në Plzen, pësuan humbje po ashtu 2:1, më 14 nëntor, 2019.

Ndërkohë, ndeshjen e dytë miqësore, Kosova do ta zhvillojë më 7 qershor, kundër Andorrës, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Edhe me Andorrën, Dardanët janë ballafaquar dy herë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024. Kanë barazuar në Prishtinë (1:1) dhe kanë fituar në Andorra La Vella (3:0).Këto dy miqësore do t’i shërbejnë stafit teknik për të vazhduar ndërtimin e skuadrës për ndeshjet e ardhshme me karakter garues në Ligën B, ku Kosova bën pjesë në Grupin B3 me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën.

Dardanët do të grumbullohen në hotel “Emerald” më 27 maj. /Telegrafi