Gresa Bakraçi thyen rekordin shtetëror në garën ndërkombëtare 10 km të mbajtur në Shkup

Gresa Bakraçi thyen rekordin shtetëror në garën ndërkombëtare 10 km të mbajtur në Shkup

Sport May 10, 2026 - 10:44

Atletja e Kosovës, Gresa Bakraçi, ka thyer rekordin shtetëror në garën 10 kilometra të mbajtur në Shkup, ku morën pjesë 428 atletë nga vende të ndryshme të botës.

Ajo arriti të përmirësojë rekordin e deritanishëm prej 35:32, duke e përfunduar garën për 14 sekonda më shpejt dhe duke u renditur në vendin e parë. Në këtë garë, Bakraçi la pas edhe kampionen ballkanike nga Serbia, e cila u rendit në vendin e dytë.

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, e ka vlerësuar lart këtë sukses, duke theksuar rëndësinë e arritjes së saj për sportin kosovar.

“Ky sukses është dëshmi e talentit, disiplinës dhe punës së palodhshme që sportistët tanë po e tregojnë çdo ditë në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar ministri Gashani.

Ai shtoi se: “Në emër të Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, e urojmë Gresën për këtë arritje të madhe dhe për mënyrën dinjitoze me të cilën po e përfaqëson Kosovën”.

Ky rezultat konsiderohet një tjetër moment krenarie për sportin kosovar dhe një motivim për gjeneratat e reja.