Stresi i bën thirrje Edi Ramës të japë dorëheqje: Lëreni popullin të vendosë për të ardhmen e vendit

Stresi i bën thirrje Edi Ramës të japë dorëheqje: Lëreni popullin të vendosë për të ardhmen e vendit

Showbiz October 17, 2026 - 16:11

Reperi i njohur shqiptar, Stresi, emri i vërtetë i të cilit është Arkimed Lushaj, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri, duke i bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të japë dorëheqjen.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka etiketuar edhe llogarinë zyrtare të kreut të qeverisë, reperi i ka kërkuar Ramës që t’ua lërë qytetarëve vendimmarrjen për të ardhmen e vendit.

“Për hir të Shqipërisë dhe të ardhmes së saj, jepni dorëheqjen dhe lëreni popullin të vendosë për të ardhmen e vendit!”, ka shkruar Stresi.

Në fund të mesazhit të tij, reperi ka shtuar edhe një paralajmërim drejtuar kryeministrit: “Ndryshe do kesh fundin më të keq!”.

Reagimi i artistit vjen në një periudhë kur në Tiranë po zhvillohen protesta të njëpasnjëshme, ku studentë, gjimnazistë dhe qytetarë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë. Ndër kërkesat e protestuesve janë dorëheqja e kryeministrit, përmirësimi i kushteve në arsim dhe krijimi i më shumë mundësive për të rinjtë.

Protestat e ditëve të fundit janë shoqëruar edhe me përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa zhvillimet kanë nxitur reagime të shumta publike.

Stresi është ndër artistët shqiptarë që ka shprehur vazhdimisht qëndrimet e tij për çështje politike dhe shoqërore. Me reagimin e fundit, ai i është bashkuar zërave publikë që kanë komentuar situatën në vend dhe kërkesat për ndryshim politik. 

Image