Mediumi zviceran përcjell nga afër atmosferën e një dasme kosovare, me mbi 400 të ftuar

Mediumi zviceran përcjell nga afër atmosferën e një dasme kosovare, me mbi 400 të ftuar

Showbiz July 28, 2026 - 14:01

Gazetaret e mediumit zviceran ndoqën një ceremoni tradicionale në Prishtinë, duke e cilësuar si një përvojë unike me muzikë, valle dhe një atmosferë festive që zgjati deri në orët e vona.

Mediumi i njohur zviceran “20 Minuten” ia ka kushtuar një reportazh të veçantë një dasme tradicionale kosovare, duke sjellë nga afër atmosferën e ceremonisë së Arianës dhe Sunajt, e cila u mbajt në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Gazetaret e pranishme përshkruajnë një festë madhështore me rreth 400 të ftuar, të shoqëruar me muzikë të lartë, valle tradicionale shqiptare dhe fishekzjarrë, ndërsa atmosfera festive vazhdoi deri në orët e vona të natës.

Image

Çifti kurorëzoi martesën në ambientet e kompleksit “Grand Events”, pranë pishinës, në një ceremoni të veçantë që u pasua nga një festë e madhe familjare.

Sipas organizatores së dasmës, edhe për standardet e Kosovës, një dasmë me mbi 400 pjesëmarrës konsiderohet një ngjarje e pazakontë për nga përmasat.

Dy gazetaret e "20 Minuten" morën pjesë edhe në vallëzimet tradicionale, duke e përshkruar përvojën si të veçantë dhe premtuan se së shpejti do të publikojnë reportazhin e plotë me momentet më interesante nga ceremonia.