Dy shqiptare në garë për “Miss Belgium 2027”

Dy shqiptare në garë për “Miss Belgium 2027”

Showbiz July 28, 2026 - 12:48

Komuniteti shqiptar në Belgjikë do të ketë dy përfaqësuese në edicionin e ardhshëm të konkursit prestigjioz “Miss Belgium 2027”.

Leona Krasniqi dhe Griselda Stragu, dy të reja me origjinë shqiptare, janë zyrtarisht pjesë e garës, duke synuar të shkëlqejnë në një nga skenat më të rëndësishme të bukurisë në Evropë, transmeton albinfo.ch.

Leona Krasniqi, e cila do të përfaqësojë qytetin e Antwerpenit me kodin MA29, vlerësohet për karakterin e saj, përkushtimin dhe ambicien. Ajo e konsideron pjesëmarrjen në “Miss Belgium” si më shumë sesa një konkurs bukurie, duke e parë atë si një mundësi për të promovuar vlerat, kulturën dhe identitetin shqiptar.

“Jam shumë e lumtur dhe mirënjohëse për këtë mundësi. Për mua, Miss Belgium nuk është vetëm një konkurs bukurie, por edhe një platformë për të promovuar vlerat, kulturën dhe angazhimin e të rinjve në shoqëri. Mbështetja e komunitetit shqiptar do të thotë shumë për mua”, ka deklaruar Leona.

Ndërkohë, edhe Griselda Stragu, me origjinë nga Shkodra dhe me banim në Belgjikë, është konfirmuar si kandidate në ‘Miss Belgium 2027’. Ajo synon të përfaqësojë me dinjitet rrënjët e saj shqiptare, duke dëshmuar se bukuria shkon përtej pamjes së jashtme dhe se puna, përkushtimi dhe vetëbesimi janë çelësi i suksesit.

Për Griselda Stragun, kjo garë është një mundësi për të promovuar kulturën dhe identitetin shqiptar në një skenë prestigjioze ndërkombëtare, ndërsa rrugëtimi i saj pritet të ndiqet me interes nga komuniteti shqiptar në Belgjikë dhe më gjerë.

Pjesëmarrja e dy shqiptareve në "Miss Belgium 2027" vjen në një kohë kur të rinjtë shqiptarë po shënojnë suksese të rëndësishme në fusha të ndryshme të jetës publike, profesionale dhe kulturore, duke dëshmuar integrim të suksesshëm dhe potencial të lartë.