EBU-ja ndryshon statutet, por jo qëndrimin ndaj Kosovës - nuk e pranon në Eurovision
Bashkimi i Transmetuesve Evropianë [EBU] ka nisur dje Asamblenë e Përgjithshme, ku ka miratuar disa ndryshme të rëndësishme rreth statusit të saj, duke hapur rrugë për pranimin e shteteve të reja.
Pavarësisht ndryshimeve, Kosova nuk ka arritur të përfitojë asgjë nga këto ndryshime, ndërsa EBU-ja ka pranuar Kanadanë si anëtare të plotë, kurse Kataloninë si “anëtare ndihmëse”, një kategori e re e krijuar pas ndryshimeve të djeshme të statusit, të cilat do t’ia hapin rrugën për t’u përfaqësuar edhe në Eurovision, shkruan Zeri.info.
Ushtruesja e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Zana Spahiu, e cila ka marrë pjesë në punimet e Asamblesë bashkë me drejtorin e Bordit të RTK-së, Dardan Beqiri, ka folur në lidhje me zhvillimet që kanë ndodhur atje, duke njoftuar se ka zhvilluar një takim me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të EBU-së, Jean Philip De Tender, dhe drejtorin e Eurovisionit, Martin Green, ku është diskutuar për kërkesën e RTK-së për anëtarësim në Unionin Evropian të Transmetuesve.
RTK-ja ka dërguar disa kërkesa vazhdimisht në adresë të EBU-së për ta përfshirë Kosovën në Eurovision, ndërsa e fundit ishte pak javë para punimeve të Asamblesë.
Sipas Spahiut, në takim është biseduar për kërkesën zyrtare që RTK ka dorëzuar muajin e kaluar, ndërsa përfaqësuesit e EBU-së kanë shprehur gatishmëri për të shqyrtuar mënyrat se si kjo çështje mund të trajtohet më tej, duke marrë parasysh edhe zhvillimet e fundit statutore brenda organizatës.
"Gjatë punimeve të sesionit të 96-të të Asamblesë së Përgjithshme të EBU-së, pata mundësinë të zhvilloj një takim të rëndësishëm me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të EBU-së, Jean Philip De Tender, si dhe me drejtorin e Eurovisionit, Martin Green. Në këtë takim diskutuam lidhur me kërkesën zyrtare të cilën RTK e ka dërguar muajin e kaluar për mundësitë e anëtarësimit të RTK-së në EBU", shkroi Spahiu.
Ajo theksoi se ndryshimet e miratuara në Statutin e EBU-së gjatë kësaj Asambleje kanë krijuar mundësi të reja për përfshirjen e transmetuesve publikë në kategori të ndryshme të anëtarësimit.
Sipas saj, transmetuesi publik kanadez CBC/Radio-Kanada është pranuar si anëtar me të drejta të plota, ndërsa transmetuesit publik të Katalonjës, 3Cat, i është hapur rruga për përfshirje përmes kategorisë së re "Anëtar ndihmës".
"Ky zhvillim është shumë i rëndësishëm, sepse tregon se EBU-ja po krijon hapësira të reja dhe më fleksibile për transmetues publikë që nuk kanë pasur deri më tani mundësi drejt përfshirjes në EBU", është shprehur ajo.
Spahiu ka vlerësuar se RTK-ja tashmë ka dëshmuar kapacitetet e saj organizative dhe profesionale, duke përmendur organizimin për tre vjet me radhë të Festivalit të Këngës, i cili sipas saj është ndërtuar me standarde të larta dhe me synimin që në të ardhmen të shërbejë si platformë për përfaqësimin e Kosovës në Eurovision.
Ajo ka kërkuar që çështja e Kosovës në Eurovision të mos politizohet, transmeton Zeri.info.
"Ne besojmë se ka ardhur koha që RTK-ja të jetë pjesë e EBU-së dhe që Kosova të ketë mundësinë të prezantohet në Eurovision përmes Festivalit të Këngës. Pjesëmarrja e Kosovës në Eurovision nuk duhet të bëhet pjesë e politikave ditore apo peng i interpretimeve politike. Muzika, arti dhe sporti duhet të shërbejnë si ura komunikimi dhe bashkëpunimi mes popujve", deklaroi Spahiu.
Në fund, ajo ka bërë të ditur se RTK-ja do të vazhdojë angazhimin institucional dhe profesional për të ndjekur të gjithë hapat e nevojshëm drejt anëtarësimit në EBU dhe pjesëmarrjes së Kosovës në Eurovision.
"Jemi të bindur se ky proces kërkon punë, durim dhe koordinim, por gjithashtu besojmë se momenti për ta çuar këtë çështje përpara është tani", përfundoi ajo.
Asambleja e ardhshme e EBU-së pritet të mbahet në dhjetor, ku RTK-ja shpreson në zhvillime pozitive për kërkesën e saj. Megjithatë, edhe në rast të një vendimi pozitiv, sigurimi i pjesëmarrjes së Kosovës në Eurovision 2027, i cili do të zhvillohet në Bullgari, mbetet sfidues për shkak të afateve procedurale dhe organizative që zbaton EBU-ja. /Zëri