Mblidhet EBU-ja, Kosova pret dritë jeshile për Eurovision 2027

Mblidhet EBU-ja, Kosova pret dritë jeshile për Eurovision 2027

Showbiz June 25, 2026 - 12:47

Asambleja e 96-të e Përgjithshme e Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) fillon sot në Pragë, me një nga pikat kryesore të rendit të ditës, që përqendrohet në kuadrin e ardhshëm të pjesëmarrjes në festivalin e këngës “Eurovision”.

Vëmendja është përqendruar në një votim të mundshëm, që mund t’ua hapë derën vendeve që nuk janë anëtare të EBU-së për të marrë pjesë në Eurovision.

Propozimi ringjall diskutimet rreth krijimit të kategorive të reja të pjesëmarrjes, të tilla si anëtarët “të asociuar” ose “joevropianë”, duke zgjeruar në mënyrë efektive strukturën aktuale të Eurovisionit.

Këtë e ka bërë të ditur gjatë një deklarimi në muajin maj ushtruesja e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Zana Spahiu, e cilat bashkë me drejtorin e Bordit të RTK-së, Dardan Beqirin po marrinë pjesë në punimet e Asamblesë, e cila do të mbahet sot dhe nesër, shkruan Zeri.info.

Spahiu gjithashtu javë më parë ka dërguar edhe një kërkesë zyrtare drejt EBU-së, duke kërkuar që Kosova të ftohet në Eurovision 2027.

“Zëri” ka pyetur edhe EBU-në nëse kërkesa e RTK-së do të diskutohet, por të njejtit nuk kanë kthyer një përgjigje.

Nëse miratohet, një ndryshim i tillë mund të riformësojë ndjeshëm formatin dhe shtrirjen gjeografike të konkursit, duke u lejuar potencialisht transmetuesve jashtë kornizës tradicionale evropiane të bashkohen, duke përfshirë Kosovën dhe Kanadanë, e cila ka shprehur gjithashtu interesim për të marrë pjesë në garën më të madhe të muzikës në Evropë.

Edhe pse ende nuk janë njoftuar vendime përfundimtare, diskutimi konsiderohet thelbësor për drejtimin e ardhshëm të Eurovisionit, pasi mund të ripërcaktojë kufijtë dhe rregullat e pjesëmarrjes në konkurs në vitet e ardhshme. /Zëri