Angelina Jolie shënon fitore në padinë me Brad Pitt, gjykata mbron komunikimet e saj private

Angelina Jolie shënon fitore në padinë me Brad Pitt, gjykata mbron komunikimet e saj private

Showbiz May 06, 2026 - 16:36

Angelina Jolie ka shënuar një fitore në betejën ligjore me ish-bashkëshortin Brad Pitt, pasi një gjyqtare vendosi se ajo nuk është e detyruar të dorëzojë mesazhe private që i kërkoi ekipi i tij ligjor. 

Vendimi lidhet me konfliktin e zgjatur për kantinën e tyre të dikurshme, Chateau Miraval.

Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë në Los Angeles, Cindy Panuco, më 5 maj, hodhi poshtë kërkesën e avokatëve të Pitt që Jolie të dorëzonte 22 komunikime, për të cilat pala e saj thotë se mbrohen nga sekreti avokat–klient.

Në vendim u theksua se Pitt nuk arriti të provojë se këto mesazhe nuk janë të mbrojtura, duke konfirmuar kështu edhe një vendim të mëparshëm të gjykatës së apelit që kishte rrëzuar një urdhër të hershëm për dorëzimin e tyre.

Megjithatë, gjyqtarja shtoi se nëse dalin prova të reja gjatë shkëmbimit të mëtejshëm të dokumenteve, çështja mund të rihapet, por tha se Pitt nuk e ka arritur këtë “mbi bazën e dokumenteve ekzistuese”. 

Po ashtu, ajo refuzoi edhe kërkesën e Jolie që Pitt të ndëshkohej me 33,692.50 dollarë në sanksione, duke arsyetuar se sanksionet “nuk janë të justifikuara”, pasi qëndrimi i Pitt kishte bazë të arsyeshme.

Beteja për Chateau Miraval nisi në vitin 2022, kur Pitt e paditi Jolie për shitjen e pjesës së saj te kompania Tenute del Mondo (degë e Stoli Group). 

Pitt pretendon se Jolie theu një marrëveshje të mëparshme që ndalonte secilin të shiste pjesën pa miratimin e tjetrit. 

Çifti, që kanë gjashtë fëmijë, finalizuan divorcin në dhjetor 2024, ndërsa Jolie kishte kërkuar zyrtarisht divorcin në shtator 2016.