Koleget artiste të Adriana Matoshit, Hoxha dhe Thaqi i dalin kundër gjuhës që ajo përdori në statusin e saj

Koleget artiste të Adriana Matoshit, Hoxha dhe Thaqi i dalin kundër gjuhës që ajo përdori në statusin e saj

Showbiz May 05, 2026 - 19:56

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe aktorja e njohur, Adriana Matoshi, është përballur me kritika në rrjete sociale pas një statusi të publikuar ditë më parë në Facebook, ku komentonte zhvillimet rreth koalicioneve ndërmjet partive politike.

Në statusin e saj, Matoshi shkroi se “tash” po zyrtarizoheshin koalicionet e para mes LDK-së dhe PDK-së në Prishtinë, duke shtuar se sipas saj këto parti “kanë qenë bashkë” edhe më herët, por tani po e formalizonin këtë në mënyrë zyrtare

Ajo e mbylli shkrimin me një gjuhë të ashpër, duke i quajtur kundërshtarët politikë “palosha”, si dhe duke bërë një krahasim me rezultatin elektoral (“jo 51, po 61%”).

Ky postim nxiti reagime edhe nga kolegë të saj të skenës artistike.

Fillimisht reagoi këngëtarja dhe arkitektja Eliza Hoxha, njëherësh ish-deputete e PDK-së, e cila e shpërndau statusin e Matoshit dhe e kritikoi gjuhën e përdorur.

“Kjo gjuhë dhe ky nivel komunikimi nga përfaqësues të zgjedhur e njëkohësisht edhe persona publik është diçka që nuk ia kisha dëshiruar askujt”, shkroi Hoxha, duke ngritur edhe një pyetje për koalicionet lokale: “Në Podujevë, në Mitrovicë, në Fushë Kosovë e gjetiu me kë jeni në koalicione? Dobët, shumë dobët për besë”.

Ndaj gjuhës së përdorur nga Matoshi duket se ka reaguar edhe deputetja e LDK-së dhe këngëtarja Adelina Thaçi Meta, e cila publikoi një shkrim në Facebook pa e përmendur emrin e askujt, por me tone kritike ndaj mënyrës së komunikimit publik.

“Ka njerëz që mbajnë titullin ‘artist’, por e përdorin zërin vetëm për të sulmuar, jo për të ndërtuar… Artisti i vërtetë nuk e ul nivelin e debatit, ai e ngre shoqërinë… Mjaft”, shkroi Thaçi Meta, duke theksuar se një përfaqësues i qytetarëve ka përgjegjësi të dyfishtë për të dhënë shembull dhe për të ndërtuar ura komunikimi.

Reagimet e dy artisteve/deputeteve kanë hapur debat në rrjete sociale rreth gjuhës në politikë dhe rolit të figurave publike në komunikimin me qytetarët. /telegrafi

 

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Adelina Thaqi (@adelinathaci)