Poetja Anne Carson fiton Çmimin Nobel për Letërsi
Poetja, eseistja dhe përkthyesja kanadeze Anne Carson është laureuar me Çmimin Nobel për Letërsi për këtë vit.
Carson, 76 vjeçe, është e njohur për veprat e saj që ndërthurin poezinë, prozën dhe studimet akademike, duke kapërcyer kufijtë tradicionalë mes këtyre zhanreve.
Komiteti i Nobelit tha se Carson është nderuar “për veprën e saj të guximshme dhe novatore, e cila, përmes një dialogu lozonjar me traditën klasike, ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore”.
Çmimi Nobel për Letërsi vlerëson një krijimtari të tërë artistike dhe konsiderohet si një prej çmimeve më prestigjioze në botën e letërsisë. Fituesja këtë vit do të shpërblehet me 12 milionë korona suedeze, rreth 900 mijë paund ose 1.2 milion dollarë.
Sekretarja e përhershme e Akademisë Suedeze, Ingrid Carlberg, tha se e kishte njoftuar Carson për çmimin përmes telefonit, pak para shpalljes publike, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
“Gjithçka që pati kohë të më thoshte ishte se për momentin ndodhet në Islandë, ku po dëgjon erën”, tha Carlberg, duke shtuar se Carson ishte befasuar nga lajmi, por ishte shumë e lumtur.
Kryetari i Komitetit Nobel për Letërsi, Anders Olsson, vlerësoi mënyrën se si Carson është shkëputur nga poezia lirike e lidhur ngushtë me rrëfimin personal dhe ka sjellë forma të reja në letërsinë bashkëkohore.
Sipas tij, mënyra e saj e të shkruarit ka krijuar vepra lozonjare dhe ironike, të cilat lëvizin mes poezisë klasike dhe asaj moderne, por edhe mes zhanreve dhe formave të ndryshme të artit.
Ndër veprat më të njohura të Carson janë The Glass Essay, Autobiography of Red: A Novel in Verse, Nox, Float dhe The Beauty of the Husband: A Fictional Essay in 29 Tangos.
Carson ka përkthyer gjithashtu vepra të letërsisë së lashtë greke dhe për më shumë se 30 vjet ka qenë profesoreshë e klasikëve.