Nga Prizreni në Bruksel: Autostrada Biennale prezanton historinë e një hapësire në House of European History
Autostrada Biennale është përzgjedhur për të marrë pjesë në History Lab Europe, në kuadër të House of European History, iniciativë e Parlamentit Evropian në Bruksel që bashkon organizata kulturore dhe komunitete nga e gjithë Evropa për të eksploruar mënyra të reja të mbledhjes, interpretimit dhe prezantimit të historisë evropiane.
Në kuadër të Programit të Decentralizuar të History Lab Europe, i zhvilluar në bashkëpunim me European Cultural Foundation (ECF) dhe European Roma Institute for Arts and Culture (ERIAC), Autostrada Biennale do të zhvillojë projektin “The Life of a Place” (Jeta e një Vendi), i cili fokusohet në transformimin e hangarëve të ish-kampit ushtarak gjerman të NATO/KFOR-it në Prizren, sot pjesë e ITP Prizren, në Autostrada Hangar – Qendra për Art Bashkëkohor.
Projekti me bazë në komunitet do të mbledhë histori gojore, rrëfime të komunitetit, materiale arkivore dhe dokumentim audiovizual, duke bashkuar breza dhe perspektiva të ndryshme të lidhura me këtë hapësirë. Përmes këtij procesi do të hulumtohet mënyra se si identiteti dhe kuptimi i një vendi transformohen me kalimin e kohës.
“The Life of a Place” do të sjellë dy rezultate të ndërlidhura: një vepër multimediale në video, që ndërthur historitë gojore me materiale arkivore dhe dokumentim bashkëkohor, si dhe një botim me rrëfime të komunitetit, ku do të përfshihen dëshmi të përzgjedhura, kërkime dhe materiale vizuale të mbledhura gjatë procesit.
Projekti do të zhvillohet në Prizren gjatë viteve 2026 dhe 2027, ndërsa rezultatet e tij do të prezantohen në kuadër të History Lab Europe në House of European History në Bruksel gjatë vitit 2027.
Për drejtorët bashkëthemelues të Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barë Karamuço, ky bashkëpunim përfaqëson një vazhdimësi të punës afatgjatë të institucionit në ndërthurjen e artit bashkëkohor me edukimin, pjesëmarrjen e komunitetit dhe transformimin e hapësirave përmes praktikave artistike e kulturore.
Sipas tyre, “The Life of a Place” e sjell historinë e Autostrada Hangar dhe Autostrada Biennale, të rrënjosur në Prizren dhe Kosovë, në një diskutim më të gjerë evropian. Projekti trajton transformimin e ish-hangarëve ushtarakë në një hapësirë për art, edukim dhe komunitet, duke vënë në qendër edhe njerëzit që kontribuuan në këtë proces.
“Përmes një vepre në video dhe një botimi, do të tregojmë se si një vend mund të bartë gjurmët e së kaluarës së tij, duke hapur njëkohësisht hapësirë për breza, ide dhe takime të reja”, thuhet në deklaratën e tyre. Ata theksojnë se prezantimi i kësaj historie në House of European History përbën një mundësi për të kontribuar në reflektimin evropian mbi kujtesën, paqen dhe të ardhmen e përbashkët.
Përmes këtij projekti, Autostrada Biennale synon të vazhdojë angazhimin për krijimin e infrastrukturës kulturore përmes praktikës artistike dhe pjesëmarrjes së komunitetit, duke lidhur historinë dhe transformimin e Prizrenit me diskutime më të gjera evropiane mbi artin, kujtesën, paqen dhe historitë e përbashkëta.
E themeluar në Prizren në vitin 2014, Autostrada Biennale është një bienale ndërkombëtare e artit bashkëkohor dhe institucion kulturor që zhvillon veprimtari gjatë gjithë vitit. Krahas bienales, përmes Autostrada Hangar – Qendrës për Art Bashkëkohor, programeve edukative, produksionit artistik dhe programeve publike, organizata krijon hapësira ku arti bashkëkohor, mësimi, komuniteti dhe produksioni kulturor ndërthuren.
Edicioni i gjashtë i Autostrada Biennale, i kuruar nga Lucia Pietroiusti, do të mbahet në Prizren nga 11 korriku deri më 11 shtator 2027.
Ndërkaq, House of European History, në Bruksel, është muze i historisë së Evropës dhe procesit të integrimit evropian, i iniciuar nga Parlamenti Evropian dhe i hapur më 6 maj 2017. Muzeu ndjek një qasje transnacionale ndaj historisë së kontinentit dhe përmes ekspozitave e programeve të tij synon të nxisë reflektimin mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Evropës. /kultplus