Kasti i filmit kosovar “Dua” shkëlqen me paraqitje në Festivalin e Filmit në Sarajevë
Foto: Facebook

Kasti i filmit kosovar “Dua” shkëlqen me paraqitje në Festivalin e Filmit në Sarajevë

Kultura August 19, 2026 - 08:32

Filmi kosovar “Dua” ka shënuar premierën e tij rajonale në Festivalin e Filmit në Sarajevë, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kinematografike në rajon.

Filmi është shfaqur në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, si pjesë e programit garues në kategorinë “Narrative Feature Film”.

Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, e cila ka njoftuar se “Dua” është pritur në një prej festivaleve më prestigjioze të filmit në rajon.

Me regji të Blerta Bashollit, filmi është prodhim i Ikonë Studio, ndërsa në rolet kryesore interpretojnë Pinea Matoshi, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Kaona Matoshi, Andi Bajgora, Vlera Bilalli dhe Fiona Abdullahu.

Pjesëmarrja në garën zyrtare të Festivalit të Filmit në Sarajevë përbën një tjetër moment të rëndësishëm për kinematografinë kosovare, duke e sjellë një produksion vendor përballë audiencës dhe profesionistëve të industrisë së filmit nga rajoni dhe më gjerë.

Premiera në Sarajevë i shtohet kështu paraqitjeve të rëndësishme ndërkombëtare të kinematografisë së Kosovës, ndërsa “Dua” synon të lërë gjurmë edhe përmes garës në një prej festivaleve më të njohura të Evropës Juglindore.