106 vjet nga lindja e etnomuzikologut dhe studiuesit të shquar Ramadan Sokoli

106 vjet nga lindja e etnomuzikologut dhe studiuesit të shquar Ramadan Sokoli

Kultura June 14, 2026 - 20:59

Sot shënohen 106 vjet nga lindja e Ramadan Sokolit, një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare dhe etnomuzikologu i parë shqiptar.

I lindur më 14 qershor 1920 në Shkodër, Sokoli ishte muzikant, kompozitor, shkrimtar dhe studiues, i cili i kushtoi jetën hulumtimit dhe ruajtjes së trashëgimisë muzikore shqiptare. Ai konsiderohet një nga njohësit më të mëdhenj të muzikës shqiptare dhe ballkanike, me kontribute të veçanta në studimin e folklorit muzikor dhe traditave të vjetra osmane.

Që në moshë të re ai u dallua për talentin e tij në muzikë, ndërsa studimet i vazhdoi në Konservatorin “Luigi Cherubini” në Firence. Megjithatë, rrugëtimi i tij u shoqërua edhe me vështirësi të mëdha, duke kaluar vite burgimi dhe përndjekjeje politike, periudhë gjatë së cilës nisi të mblidhte dhe të studionte folklorin shqiptar.

Pas daljes nga burgu, Sokoli vazhdoi të kontribuonte në jetën artistike dhe arsimore të vendit, duke punuar si drejtues muzike dhe pedagog në Liceun Artistik të Tiranës. Veprat dhe studimet e tij u bënë themel për zhvillimin e etnomuzikologjisë shqiptare.

Ramadan Sokoli u nda nga jeta më 12 mars 2008, por trashëgimia e tij shkencore dhe artistike vazhdon të mbetet një pasuri e çmuar e kulturës kombëtare./KultPlus