Gjon Mili në “Marubi”, hapet retrospektiva e pionierit të fotografisë moderne

Gjon Mili në “Marubi”, hapet retrospektiva e pionierit të fotografisë moderne

Kultura June 13, 2026 - 17:46

Një udhëtim magjepsës në universin e dritës, lëvizjes dhe inovacionit artistik është hapur për publikun shqiptar me ekspozitën “Gjon Mili: Retrospektivë”, një nga ngjarjet më të rëndësishme fotografike të viteve të fundit, që sjell për herë të parë në Shqipëri një koleksion origjinal të veprave të mjeshtrit shqiptaro-amerikan të fotografisë.

E kuruar nga Howard Greenberg, ekspozita e prezantuar në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” përmbledh një pjesë të trashëgimisë së jashtëzakonshme të Gjon Milit (1904-1984), fotografit që ndryshoi mënyrën se si bota e sheh fotografinë, duke e kthyer atë nga një mjet dokumentimi në një laborator eksperimentimi me kohën dhe dritën.

Gjatë udhëtimit në ekspozitë, vizitori përballet me një galeri figurash të rëndësishme të shekullit XX. Portrete të legjendave të jazz-it si Duke Ellington, Charlie Parker, Billie Holiday dhe Count Basie shfaqen jo thjesht si fotografi artistësh, (muzikantët më të famshëm të kohës), por si fragmente ku muzika ngjan sikur vazhdon të dëgjohet edhe pas shkrepjes së aparatit.

Fotografia e Duke Ellington-it në piano, e rrethuar nga fytyra të përqendruara dhe të zhytura në ritmin e muzikës, té ngjit energjinë elektrizuese të skenës jazz, ndërsa Charlie Parker shfaqet në një kompozim minimalist, ku drita dhe hija e izolojnë artistin në një dialog intim me instrumentin e tij.

Imazhe mbresëlënëse janë edhe fotografitë e Billie Holiday. Këtu përdorimi i dritës dhe ekspresiviteti i artistes krijojnë një intensitet emocional të mrekullueshëm.

Retrospektiva sjell gjithashtu një tjetër dimension të krijimtarisë së Milit: eksperimentet revolucionare me dritën stroboskopike dhe ekspozimet e shumëfishta. Veprat e njohura të vizatimeve me dritë, përfshirë referencat ndaj serisë së famshme me Pablo Picasso-n, dëshmojnë sesi Mili arriti të fotografojë vetë lëvizjen, duke e bërë kohën pjesë të imazhit.

Në një epokë kur fotografia shihej kryesisht si regjistrim i realitetit, Gjon Mili e sfidoi këtë kufi. Ai përdori teknologjinë dhe njohuritë shkencore për të krijuar imazhe që zbulonin atë që syri i njeriut nuk mund ta perceptonte në çast,  trajektoren e lëvizjes, ritmin e trupit, gjurmën e dritës në hapësirë.

Ekspozita përfshin edhe fotografi të rralla nga rrethet artistike të kohës, mes tyre skena me Pablo Picasso-n në vilën e tij në Francë, ku mjeshtri i kubizmit shfaqet në momente spontane, larg formalitetit të portreteve zyrtare.

Retrospektiva sjell gjithashtu portrete dhe momente të rralla të disa prej figurave më të njohura të kulturës botërore. Mes tyre spikasin fotografitë e regjisorit legjendar Alfred Hitchcock, të kapur me syrin e mprehtë të Milit, si dhe imazhe të hershme të Tina Turner, shumë përpara se të shndërrohej në një ikonë globale të muzikës rock. Këto vepra dëshmojnë afërsinë e fotografit shqiptaro-amerikan me qendrat më të rëndësishme të artit, muzikës dhe kinemasë së shekullit XX.

I lindur në Korçë në vitin 1904 dhe i larguar drejt Shteteve të Bashkuara në moshë të re, Gjon Mili ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme si fotograf i revistës prestigjioze Life, duke u bërë një nga emrat më novatorë të fotografisë botërore. Punët e tij ndikuan jo vetëm fotografinë artistike, por edhe mënyrën se si shkenca, sporti, muzika dhe performanca mund të dokumentoheshin përmes imazhit.

Për publikun shqiptar, kjo ekspozitë është më shumë se një retrospektivë. Ajo përbën një rikthim simbolik të një prej figurave më të rëndësishme shqiptare në historinë e artit botëror, duke rivendosur emrin e Gjon Milit në kujtesën kulturore kombëtare dhe duke i dhënë publikut mundësinë të zbulojë nga afër një krijues që e ktheu fotografinë në poezi të dritës dhe kohës.

Ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë” realizohet në bashkëpunim me Howard Greenberg Gallery dhe me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit./atsh