Filmi “The News” nis së shpejti rrugëtimin në festivale

Filmi “The News” nis së shpejti rrugëtimin në festivale

Kultura December 17, 2019 - 10:09

 

Image

Filmi më i ri i regjisorit shqiptar Lorin Terezi shumë shpejt do të shfaqet para publikut ndërkombëtar. “The News” është filmi i metrazhit të shkurtër, i cili është xhiruar këtë vit dhe pritet të distribuohet në vitin 2020 nga kompania distributuese e filmave, “Mailuki Films”. Mirënjohës dhe i lumtur për bashkëpunimin me këtë kompani, që njihet në industrinë e filmave, u shpreh edhe regjisori tiranas Lorin Terezi gjatë një interviste të dhënë për gazetën “Zëri”. Ai shpalosi detaje nga punimi i këtij filmi, tematika e veçantë, puna me aktorët, si dhe pritshmëritë e tij për këtë film, shkruan sot gazeta "Zëri".

Terezi: Distributori është garanci për rrugëtimin në festivale

Fakti se filmi i tij do të distribuohet nga një kompani siç është “Mailuki Films” e bën regjisorin Lorin Terezi të ndihet më i qetë. Ai është i sigurt se kësisoj filmi, të cilin e ka punuar me shumë përkushtim, do të arrijë më lehtë te publiku. “Bashkëpunimi me ‘Mailuki Films’ është finalizuar që në periudhën e parapërgatitjeve për xhirime dhe në 2020-n filmi është në cirkuitin e festivale, duke shpresuar për një numër sa më të madh festivalesh cilësore”, tregoi Terezi, duke shtuar se distributori i filmit është një komponent shumë i rëndësishëm për rrugëtimin e filmit në festivale. “Sado i mirë të jetë filmi, distributori është garanci për rrugëtimin në festivale. Sidomos kur kemi të bëjmë me filma të shkurtër. ‘Mailuki Films’ është edhe producent i asociuar i filmit”, theksoi regjisori Terezi.

Më tutje ai tregoi se filmi “The News” tregon për një nuse të re, e ngarkuar me porosi të parëndësishme nga familja e burrit të saj. Kur burri i saj është në Greqi ajo ngec në trupin e një gruaje të vdekur ndërsa merr ujin nga burimi. Të shtyrë në një anë të dy vjehrrit e nuses vijojnë të flasin me lajmet lokale, duke gënjyer për gjetjen e trupit dhe duke u kënaqur me vëmendjen që po marrin. Këtu fillon një betejë mes të gjithë fshatarëve, ku të gjithë banorët përfshihen nga protagonizmi i paparashikuar, teksa policia dhe mediet zbarkojnë ne fshatin e harruar. Autori na tregoi se ideja për këtë temë erdhi nga realiteti i dhunshëm mediatik, atë me të cilin përballemi çdo ditë.

 

“Zgjedhja e temës lindi nga një kronikë lajmesh, ku i intervistuari më shumë sesa fliste për ngjarjen, shijonte protagonizmin. Më pas me zhvillimin e skenarit lindën edhe nënshtresa të tjera, si nënshtrimi i femrës ndaj arkaizmit dhe patrialkalitetit, varfëria e emigrimi”, u shpreh Terezi. Në këtë film janë katër aktorë profesionistë: Nusja, vjehrri, vjehrra dhe gazetarja. Pjesa tjetër janë të gjithë njerëz të fshatit. Autori tregoi se kjo histori nuk do të funksiononte pa një interpretim natyralist të aktorëve. Ai ndër të tjera veçoi Albulena Kryeziu-Bokshin për punën e saj. “Doja të veçoja Lenën, që zgjodhi 'armë' aq të thjeshta për të na dhënë emocione”, përfundoi Terezi.

Filmi “The News” është financuar nga Qendra Kinematografike e Shqipërisë dhe tashmë është bërë i ditur lajmi se premierën e tij do ta ketë në festivalin ndërkombëtar të filmit me metrazh të shkurtër “Flickerfest”, në Australi. Festival ky i cili është i akredituar nga “Oskar”-i dhe i njohur nga BAFTA. Regjisori Lorin Tereziu u lind në Tiranë. Ai mbaroi Akademinë e Arteve në Tiranë për Regjinë e Teatrit. Më vonë u diplomua në të njëjtin universitet për Regjinë e Filmit dhe të TV-së. Ai ka fituar çmimin e parë në Festivalin e Teatrit Rinor për shfaqjen më të mirë me filmin “Menaxhimi i xhamit”. Regjisori Terezi gjithashtu fitoi çmimin e parë për dokumentarin "Mungesë" në konkursin "Rrathë". Aktualisht ai është duke punuar në televizione dhe duke filmuar dokumentarë. Zëri